Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, ish-shefi i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, dëshmitari Sreçko Banoviq, ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar se ka pasur grup të organizuar kriminal.
“Unë nuk kam pasur asnjë informacion”, tha dëshmitari Banoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokatit Faruk Korenica.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Po ashtu, Banoviq tha se gjatë periudhës sa kishte qenë në pozitën- shef i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, nuk ka dëgjuar se i akuzuari Spasojeviq ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal të organizuar.
“Kam thënë se kam pasur 14 hetuesit e mi, stacioni ka pasur mbi 100 njerëz, nuk kam pasur kohë të merrem me zërat e njerëzve, ashtu që diçka të tillë për Spasojeviq nuk kam dëgjuar, kam pasur punët e mija”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, dëshmitari Banoviq është përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Rade Basara, i cili edhe e ka propozuar këtë dëshmitar, e që ky i fundit tregoi se ka qenë shef i të akuzuarit Basara.
Ai e ka treguar edhe organizimin e brendshëm të kësaj njësie, si dhe ka treguar edhe detyrat e policëve hetues. Sipas tij, Njësia Rajonale Hetuese nuk ka pasur të drejtë ta mbikëqyr punën e Stacionit Policor.
Banoviq ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë që i akuzuari Basara të refuzojnë ndonjë punë që i është caktuar dhe se për punën e tij nuk ka pasur asnjëherë ankesa, as nga prokurori e as nga qytetarët.
“Nuk kam pasur vërejtje as me shkrim, as nuk më ka thirrur prokurori, as nuk ka qenë me vërejtje disiplinore”, tha Banoviq.
Sa i përket procedurës së dërgimit të provave materiale në Laboratorin Qendror në Prishtinë, ai tha se kjo bëhet me urdhër të prokurorit.
“Prokurori jep urdhër hetuesit që t’i dorëzojë provat në Laborator në Prishtinë, me të cilat unë gjithmonë kam qenë i njoftuar dhe atje nuk e kam lënë asnjëherë askënd që t’i çojë provat përveç atij i cili është i ngarkuar me këto prova, secila kërkesë e jona te prokurori, e gjitha kjo është e dokumentuar në evidencë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është obligim i prokurorit që gjatë një çështjeje të caktojë se kush është i dyshuari, kush dëshmitari, e cilat veprime hetuese duhet të ndërmerren.
Ditën kur kishte ndodhur ngjarja kritike, Banoviq ka thënë se kishte qenë në pushim vjetor dhe po ashtu theksoi se ka qenë ai që ka miratuar pushimet vjetore për të akuzuarin Basara.
Por, konkretisht në dhjetor të vitit 2017, ai tha se nuk i kujtohet saktësisht data se kur ka miratuar pushimin vjetor për Basarën.
“Rade Basares shumicën e rasteve ia kam miratuar pushimin vjetor për Vitin e Ri, për arsye se e ka pasur familjen në Republikën e Kroacisë. Nuk më kujtohet data saktë e miratimit, mirëpo nuk do ta shfrytëzonte nëse unë nuk do ta miratoj”, tha i njëjti.
Banoviq deklaroi se kur ishte kthyer nga pushimi vjetor, rasti në fjalë ende nuk ishte marrë në kompetencën e hetuesve për Krime të Rënda në Prishtinë, por sipas tij ata e kanë udhëhequr hetimin.
Po ashtu, ai tha se kur ishte kthyer nga pushimi vjetor, i akuzuari Basara ka qenë duke punuar në grupin punues për këtë rast. Ai shtoi se nuk ka dijeni se cilat veprime në ditën kritike kishte ndërmarr njësia regjionale deri sa kishin ardhur Njësia e Krimeve të Rënda nga Prishtina.
Banoviq ka thënë se sa herë kur kishte shkuar në pushim vjetor, si zëvendësues të tij e kishte lënë Mirsada Mustafa.
Krejt në fund, dëshmitari Banoviq tha sot në gjykatë ka ardhur së bashku me të akuzuarin Basara, e për këtë dha një arsyetim.
“Kam ardhur me Rade Basaren sepse as nuk e kam ditur se ku është kjo gjykatë”, tha ai.
Paraprakisht, në sallë u lëshua edhe video-incizimi që përfshinte pamjet tek bastroja “Brazil”, por teknikisht nuk pati mundësi që të shikohej. Megjithatë, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se nuk ka nevojë që të shikohet.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj, në këtë video shihet një sekuencë e shkurtër teksa tani i ndjeri Ivanoviq kalon rreth bastores “Brazil”, duke shkuar në drejtim të selisë së partisë së tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Marko Roshiq, avokati Mahmut Halimi pasi pa një fotografi nga ky video-incizim nga prokurori Burim Çerkini deklaroi se në të gjithë foto-dokumentacionin dhe video-incizimet që kanë parë deri tani, asnjëherë në asnjë vend nuk është parë as i mbrojturi i tij Roshiq e as vetura e tij.
“Edhe pse i akuzuari Marko Roshiq e ka banimin shumë afër ndërtesës së subjektit, asnjëherë në asnjë vend e as vetura e tij Santa-Fe KIA nuk shihet, pra as vetura e as i akuzuari Marko Roshiq për të cilin sipas akuzës pretendohet se i paska përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe i paska njoftuar të personat të cilët e kanë kryer krimin”, tha Halimi.
Në këtë seancë, trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht propozimin e avokatit Korenica që në cilësi të dëshmitares të ftohet për të dëshmuar Mirsada Mustafa.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal