Një 89-vjeçar është vrarë mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
I dyshuar për këtë vepër është Festim Ramadani, zyrtar policor, i cili dyshohet se ka përdorur armën e tij zyrtare.
Insajderi merr vesh se pasi që Festim Ramadani kishte me vete armën e gjatë, pronë e Policisë së Kosovës e që rendom ato nuk merren në ditë pushimi, vet Policia e ka suspenduar shefin e ndërrimit ku shërbente Ramadani.
Ai është me gradë rreshter.
Viktima, Sadri Sadriu, sipas raportimeve është axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Për Insajderin ka folur avokati i policit, Arben Isufi. Ai ka thënë se është angazhuar sipas detyrës zyrtare.
“Jam i angazhuar sipas detyrës zyrtare dhe mbrëmë gjatë intervisimit ai ka vendosur që të mbrohet në heshtje”, tha Isufi për Insajderin.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se janë kryer hetime dhe se një i dyshuar tjetër është arrestuar për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë”.
“Lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar sot në orët e mbrëmjes është arrestuar edhe një i dyshuar. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.