Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka paraqitur kërkesë për paraburgim ndaj dy të pandehurve H.I. dhe B.I. për vrasjen e 42-vjeçarit Ismet Ibishi në Skenderaj të mërkurën.
Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit hynë në një lokal në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, nxorën armët dhe filluan të shtijnë në drejtim të viktimës Ismet Ibishi.
Dy të pandehurit Hisni Ibishi dhe B.I., babë e bir, ishin familjarë me viktimën.
Ata, tani do të përballen me akuza për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
“Me datë 12 shkurt 2025 në një lokal në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të ndjerit I.I, dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin”, tha Prokuroria e Mitrovicës në një njoftim të premten.
Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025.
Të pandehurit H.I. dhe B.I.I janë 62, përkatësisht 33 vjeç.