Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka votuar pak më parë në Pejë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.
“Në këtë qendër të votimit sot votohet për zgjedhjet parlamentare. Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të gjithë qytetarët të votojnë. Nga ana e KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë bërë, përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pasur. Kemi arritur që procesi të përfundojë në kohë. Dje u zhvillua votimi në diasporë, i cili sipas njoftimeve ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë proces i qetë. Qendra në Uashington, Toronto dhe Otavë u mbyllën gjatë natës. Uroj të jetë një ditë e qetë dhe që i tërë procesi të mos ketë asnjë problem”, tha Radoniqi.
“Çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqesë një dokument përkatës, që tregon se nuk ka mundësi të votojë vetë. Varësisht nga nevojat e qytetarëve, mund t’u dorëzohet asistencë. Për ata që nuk dinë të lexojnë, ligji këtë kategori e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. KQZ nuk ua mohon të drejtën e votimit, dhe asistenca mund të jepet deri te kutia e votimit, por jo prapa saj”, shtoi ai.






