Zarfet me vota që u tërhoqën nga posta në Zagreb në kundërshtim të plotë me procedurat e KQZ-së, nuk do të numërohen nga ky institucion.

Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht nga burime brenda KQZ-së se këto zarfe nuk do të numërohen pasi që ato janë tërhequr pa përfillur procedurat.

“Tërheqja e këtyre zarfe jashtë çdo procedure dhe ato nuk do të numërohen”, ka thënë ky burim.

Janë 30 zarfe me vota dhe dyshohet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është i përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të tyre.

Lajmi doli në media në 6 shkurt, pak ditë para zgjedhjeve.

Në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.

 

Pas këtij skandali, KQZ kishte mbajtur mbledhje, por kryetari i këtij institucioni nuk kishte qenë në gjendje të tregonte se çka kishte ndodhur.

“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Mbeten të vërtetohen në fazat e mëvonshme”, kishte thënë Kreshnik Radoniqi kur u pyet nga gazetarët me të përfunduar mbledhja e KQZ-së më 7 shkurt.

Radoniqi kishte treguar se bëhet fjalè për 30 vota.

Procedurat e KQZ-së lejojnë tërheqjen e fletëvotimeve nga postat vetëm pasi që të njoftohen vëzhguesit e akredituar.

Kjo procedurë nuk është ndjekur nga ambasada e Kosovës në Zagreb.

Me 6 shkurt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.

Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penalr që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”