Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve Zgjedhore po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës. Procesi i numërimit të këtyre votave nuk pritet të përfundojë as ditën e sotme.
Sipas televizionit publik, as sot nuk do të mund të përfundojë numërimi i votave të arritura në Prishtinë, që gjithsej janë 43 kuti nga tridhjetë përfaqësi diplomatike, 16 ambasada dhe 14 konsullata, ku është votuar më 8 shkurt në 19 shtete të botës.
Bëhet e ditur se sot nuk janë hapur kutitë e votimit deri në orën 12:00 për shkak se është dashur të bëhet trajnim shtesë për personat që janë përfshirë në numërimin ë kutive të votave.
Numri i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352.
Ndërkaq sa i përket votave me postë, sipas të dhënave të KQZ’së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.
Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597.