Në Tiranë është mbajtur një darkë joformale mes liderëve të BE-së dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në prag të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbahet nesër.
Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, publikoi një fotografi ku shihen të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit.
“Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Çfarë simboli i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet shumë përtej kufirit të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, shkroi von der Leyen në X.
Në foto shihet presidentja Vjosa Osmani. Afër saj është homologu i saj malazez, Jakov Milatoviq, pastaj Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i këtij vendi, Bajram Begaj, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.