Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka deklaruar të premten se një Ukrainë e dështuar do ta dobësonte Evropën, por gjithashtu do ta dobësonte edhe Amerikën, ka raportuar The Guardian.
Ajo në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, e ka lavdëruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai “është i përgatitur për të punuar drejt paqes që e nderon sakrificën e vendit të tij dhe bashkëkombësve të rënë”.
Si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ajo ka thënë se “nënshtrimi ndaj kërkesave të Putinit, do të intensifikonte sfidat në Azi-Paqësor dhe do të kërcënonte interesat tona të përbashkëta”.
Sipas Von der Leyen, blloku evropian “është duke punuar me Ukrainën për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, sepse siç ka thënë ajo, kjo është e ardhmja e tyre.