Volejbollisti i njohur kosovar, Adriatik Berisha, ka nisur një aventurë të re ndërkombëtare duke u transferuar në kampionatin elitar të Mongolisë, ku do të përfaqësojë skuadrën Darkhan Moguls.
Berisha, i lindur më 26 maj 1997, me gjatësi 2.01 m dhe peshë 90 kg, vjen nga një periudhë suksesi të jashtëzakonshëm në volejbollin kosovar.
Ai është dy herë kampion i Superligës së Kosovës (2023–2024 dhe 2024–2025), si dhe dy herë fitues i çmimit MVP në finalet e Kupës së Kosovës.
Klubi mongol Darkhan Moguls e prezantoi Berishën si një nga përforcimet më të rëndësishme për sezonin e ri, duke theksuar përvojën dhe fuqinë e tij në bllok dhe sulm.
Ky transferim shënon një tjetër hap të rëndësishëm për volejbollin kosovar, duke dëshmuar se talentet tona po gjejnë hapësirë për të shkëlqyer edhe në tregjet ndërkombëtare.
Federata e Volejbollit e Kosovës i uron Adriatik Berishës shumë suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tij sportive dhe përfaqësim sa më dinjitoz të vendit tonë.






