Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku u ka bërë thirrje qytetarëve anë e kënd Kosovës të dalin dhe të votojnë.
Çitaku, në një konferencë për media, tha se vota e sotme është votë për të ardhmen e përbashkët, për zhvillim dhe për dinjitet.
“Prandaj, edhe sot, Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës që të dalin dhe të votojnë. Të votojnë me përgjegjësi, me bindje dhe me shpresë. Të votojnë për të ardhmen që duan dhe që e meritojnë”, theksoi ajo.
Çitaku tha se nga të dhënat e marra nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike.
“Qytetarët e Kosovës po dalin të votojnë dhe po e marrin në duart e tyre përgjegjësinë për të zgjedhur drejtimin e qeverisjes së tyre lokale. Siç e kemi theksuar gjithmonë, qeverisja komunale është qeverisja më e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve”, shtoi ajo.