Duke komentuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, analisti Azem Vllasi ka thënë se asnjëra nga partitë nuk është e interesuar për formimin e një qeverie të re.
Ai ka fajësuar Vetëvendosjen për zvarritjen e formimit të institucioneve dhe ka parashikuar një rënie të dukshme në përkrahjen e partisë fituese të 9 shkurtit, në rast se zhvillohen zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, mendimi im është që Lëvizja Vetëvendosje do të pësojë një rënie të dukshme dhe nuk do të mund të fitojë më shumë se 30% të votave, sepse i ka zhgënjyer votuesit e saj me lojërat që bëri gjatë ngërçit të parlamentit, kur u zgjodhën kryetari i parlamentit dhe nënkryetari serb, pra gjatë konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, në krahasim me partitë e tjera, do të ketë përkrahjen më të madhe. Për shembull, nëse Vetëvendosje bie në 30%, nëse PDK-ja do të ketë rreth 22% e LDK-ja 18%, këto të gjitha së bashku do të bëjnë më shumë se VV-ja dhe Kurti. Pastaj vjen puna se çfarë thotë matematika, a mund ta formojnë ata qeverinë dhe ta çojnë Kurtin në opozitë, pavarësisht se ai do të fitojë më shumë vota nominalisht. Por asnjëri nga taborët nuk dëshiron tani të formojë qeverinë, por duan të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shpresuar që të ndodhë kjo që përmenda”, ka deklaruar Vllasi në Tëvë1.