AAK hapjen e fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 28 dhjetorit e bëri sonte në Prishtinë.
Në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë u mblodhën jo veç lista e kandidatëve për deputetë në krye me atë për kryeministër, Ramush Haradinaj, por edhe figura tjera të rëndësishme të kësaj partie që udhëheqin disa komuna.
Një nga ta është Ardian Gjini, i cili e ka fituar Gjakovën, që në këtë tubim hapës i prezantoi kandidatët për deputetë.
Gjini pa modesti për listën e partisë ka fjalë të mëdha.
Para të pranishmëve u shfaqën edhe disa nga vlerësimet karshi figurës së Haradinajt.
Ngjitja e Ramush Haradinajt në skenë, ngriti të gjithë në këmbë.
I pari i partisë që synon të bëhet kryeministër shteti, tha se me të, Kosova do të hyjë në NATO.
Pos shtyllës së sigurisë, Haradinaj tha se do të jenë krah i çdo qytetari e kategorie dhe pa harruar investimet e mëdha kapitale prodhuese.
AAK në mesin e premtimeve ka edhe dyfishimin e pagave dhe pensioneve brenda një mandati qeverisës.






