7.4 C
New York
Wednesday, November 13, 2024

Buy now

Vlera e rikonfirmimit të pastërtisë së luftës së popullit për liri e udhëhequr nga UÇK-ja dhe e përkrahur nga NATO-ja është e pamatshme

- Advertisement -

Shkruan: Ardian Bajraktari

Ligji për Mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, i miratuar në po të njëjtën ditë kur është miratuar Ligji për Dhomat e Specializuara, ndryshe nga ligjet tjera, ka një preambulë të rrallë.

Preambula përcakton frymën e Ligjit, si rregull, preambula përveç bazës (kushtetuese) në këtë rast thekson frymën e aktit. Ky ligj në preambulën e vet ndër të tjera, thekson si vijon:

– Duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin dhe besimin e paluhatshëm që Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë;

– Duke njohur sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga ShBA-të dhe aleatet e saj, të cilët ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës;

– Me qëllim që të mbrohet dhe zbardhet e vërteta për proceset e mundshme gjyqësore që do të zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, pa ndonjë ndërhyrje dhe veprim të mundshëm i cili do të mundësonte ndërprerjen e këtij procesi dhe i cili do të mund të linte njollë të pazgjidhur në historinë e re të Republikës së Kosovës;

– Duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj.

Në frymën e kësaj preambule, ligji me pak nene ka për qëllim mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.

Çka rregullon Ligji

Ky ligj rregullon tri çështje, si në vijim:

1. Mbrojtje juridike, duke ju siguruar të gjithë personave të akuzuar të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji;

2. Mbështetjen e nevojshme financiare për anëtarët e ngushte të familjes së personave të akuzua për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshirë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës, si dhe;

3. Të drejtën në kompensim për personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë pranë Dhomave të Specializuara, në rast se ata shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Të tri këto çështje, përkatësisht çështje të drejta, parashihen të realizohen përmes akteve përkatëse nënligjore të nxjerra nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Financimi – buxheti

Çështja e ndarjes së mjeteve për realizimin e të drejtave të cekura më lartë është përgjegjësi e Kuvendit, ku neni 6 i Ligjit thekson se Kuvendi merr vendim për ndarjen e mjeteve të caktuara për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të përcaktuar me këtë ligj dhe me aktet përkatëse nënligjore që nxirren nga Ministria e Drejtësisë për zbatim të këtij Ligji.

Pra, është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, para së gjithash e Kuvendit që në funksion dhe me qellim të sigurimit të një mbrojtje cilësore të ish krerëve të UÇK-së, të jenë në nivel të detyrës dhe funksionit dhe rrjedhimisht, të reflektojnë në raport me ri-konfirmimin e pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës për liri të udhëhequr nga e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga bota demokratike, me në krye NATO-n.

Kushdo tenton të mat apo vlerësoj me para pastërtinë e luftës së popullit për liri e udhëhequr nga UÇK-ja dhe e përkrahur nga NATO-ja, bën gabim të rëndë. Pastërtia e luftës së popullit për liri e udhëhequr nga UÇK-ja dhe e përkrahur nga NATO-ja, është vlerë e pamatshme dhe Republika e Kosovës, institucionet e saj, një dakik e më parë ta zbatojne ligjin dhe frymën e tij, t’i dalin zot lirisë së vet dhe ish çlirimtarëve.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit