Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit.
Ajo e ka konfirmuar këtë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.
Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.






