12 C
New York
Tuesday, November 25, 2025

Buy now

Vjosa Osmani reagon pas rastit në Gadime: Femicidi është krizë kombëtare, kërkohet veprim pa asnjë tolerim

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas rastit të fundit të dhunës në familje që ndodhi në Gadime të Ulët, ku një grua u sulmua me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht që kishte urdhër aktiv mbrojtjeje.

Në një postim në Facebook, Osmani e ka cilësuar femicidin si një plagë të hapur dhe një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë kosovare.

“Femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur. Jo thjesht një problem. Jo një statistikë. Por, një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë sonë, ditë pas dite”, ka shkruar ajo.

Presidentja theksoi se rasti në Gadime nuk është thjesht një tjetër episod i dhunës në familje, por tregues i dështimit të sistemit për të mbrojtur viktimat.

“Ajo që ndodhi në Gadime të Ulët nuk është thjesht ‘një rast tjetër’. Një grua, edhe pse e mbrojtur me urdhër aktiv, u sulmua barbarisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj. Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, atëherë rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret”, ka thënë Osmani.

Ajo shtoi se statistikat po flasin qartë për rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke bërë thirrje për zbatim të rreptë të ligjit dhe reagim të menjëhershëm të institucioneve.

“Numri i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje po na e thotë troç: letrat nuk shpëtojnë jetë. Zbatimi, vendosmëria, reagimi pa vonesë – po!”, theksoi Presidentja.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Osmani apeloi për veprim konkret dhe të pakompromis.

“Apeloj për VEPRIM. Me përgjegjësi. Me kujdes. Pa asnjë tolerim. Ashtu siç e kërkon ligji. Ashtu siç e meriton çdo grua dhe vajzë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ajo, duke shtuar se çdo neglizhencë mund të jetë fatale

Të ngjashme

Të fundit