Gazetari Vehbi Kajtazi dhe analisti politik Visar Ymeri kanë shprehur kritika ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë emisionit “VV Show”, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe qasjen e saj në raport me zhvillimet globale politike.
Kajtazi tha se Osmani po sillet sikur të ishte një nga faktorët kryesorë në skenën botërore, duke e krahasuar veten me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas tij, një perceptim i tillë nuk përkon me realitetin dhe po përdoret për interesa personale.
Ai theksoi se Osmani po e shfrytëzon anëtarësimin e saj në Bordin e Paqes si mjet presioni ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me qëllim që ajo të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër presidencial.
“Nuk e di a po më duket vetëm mu apo edhe juve se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka fillu të besojë se ajo dhe presidenti amerikan Donald Trump, janë faktorët kryesorë në këtë glob, në zhvillimet globale politike. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë. Dëshira e saj edhe për një mandat, po e shfrytëzon praninë e saj në Bordin e Paqes që u nënshkrua para disa javësh si shtytje, si trysni mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët ende nuk janë betuar se ajo duhet të rizgjidhet presidente edhe për një mandat”, u shpreh Kajtazi.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Visar Ymeri, i cili tha se një tendencë e tillë është vërejtur edhe më herët, si te Osmani ashtu edhe te Albin Kurti.
Sipas Ymerit, problemi nuk është se ata mendojnë se kanë peshë globale, por se sillen sikur kanë detyrim të japin mendime për çdo çështje ndërkombëtare, shpeshherë edhe mendime të gabuara.
“Nuk është e ekzagjerume, edhe mu më është duk ashtu. Unë e kom pa te Osmani dhe tek Kurti që e paraqesin veten sikur persona të cilët duhet doemos me i trajtu të gjitha çështjet globale. Nuk konsideroj nuk mendoj që këta mendojnë që kanë peshë globale por mendojnë që kanë mendim për çështjet globale, që shpeshherë mendim i gabuar. Konsideroj që edhe tash e shoh një tendecë të tillë të Osmanit e cila e ka një qasje personale për me shku pak përtej asaj që është e nevojshme. Nuk mendoj që është detyrë e Osmanit që tash ta marrim ne bajrakun e të dalim të sqarojmë për botën se çka është Bordi i Paqes”, theksoi Ymeri.






