Tashmë edhe zyrtarisht ka ardhur demantimi ndaj Qeverisë së Kosovës të cilët e dhanë veten ‘të pa faj’ në çështjen e dështimit të softuerit dhe serverëve në Komisionin Qendror Zgjedhor duke thënë se ato ishin donacion nga Gjermania dhe të prokuruara nga OSBE-ja.
Ashtu siç raporti Nacionale përmes burimeve të saj, serverët dhe pajisjet gjermane as që ishin përdorur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – dhe se rrjedhimisht, bie poshtë pretendimi i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e botave. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania.
Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Përveç kësaj, ne nuk kemi çfarë të komentojmë”, tha ambasada gjermane në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kur u ngritën pretendime se agjenci brenda Ministrisë së Brendshme janë përgjegjëse për ngecjet kolosale që ka parë procesi dhe ka shkaktuar konfizuon të madh, e hoq përgjegjësinë, duke thënë se pajisjet ishin donacion nga gjermania dhe OSBE-ja nën menaxhim të KQZ-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik“, shkroi Kryeziu.