Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim rreth vizitës në Kosovë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Policia ka treguar se gjatë qarkullimit të eskortës së zyrtares së lartë evropiane, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut.
“Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.
Ursula von der Leyen zbarkon në Kosovë gjatë ditës në kuadër të turneut të saj ballkanik.