Skena e mjekut ndoshta ishte më e rënda.
Së paku deri mbrëmë. Mjeku i cili e përcolli Presidentin Thaçi shkallëve të spitalit deshti ta përqafon jo presidentin, por djalin që vizitonte babën. Një polic i maskuar ja ndali mjekut dorën e gjysmëlakuar, e gatshme për përqafim, e qortoi me gisht dhe pastaj u kthye edhe një herë ta kërcënonte.
I pamë krejt këto pamje në kamera. E pamë se Hashim Thaçi, president republike, themelues shteti, çlirimtar, hyri kokëlartë në njerin e spitaleve të Qendrës klinike universitare, dhe dha shenjë, me buzëqeshje, se po i sheh pak pacientë të shokuar por të ngazëllyer qe po e takojnë befas presidentin.
E pamë edhe se Hashimi, djali i Haxhisë, doli më i pikëlluar pas pak ore nga vizita e kufizuar në spital. Nuk ishte më president. Ishte djalë i babës të cilin ndoshta nuk do ta shihte kurrë me.
Nuk është krejtësisht e kotë ta përsërisim historinë e kësaj vizite. Presidenti ishte në fluturimin OS 770 të Austrian Airlines, rrugës për në Uashington ku kishte takim në Shtëpinë e Bardhë për ta çimentuar normalizimin e marrëdhënieve me fqiun antagonist, kur njëfarë prokurori Jack Smithi e shpalli botërisht, me dramë dhe urgjencë, aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit nën emrin e përbashkët “Rasti Thaçi et al”. I njejti Jack Smith, pasi u vërtetua që aktakuza nuk ishte as për së afërti të konfirmohej, i la bashkëthemeluesit e UÇK-së në burg, pa të drejte arresti shtëpiak, edhe pse për këtë dhanë garanci shtetërore disa kryqytete europiane. Në fund, i ballafaquar me një proces të komprometuar, bazuar në histori fiktive për “përgjegjësi komanduese” dhe “organizim të detajum” dhe të qëllimshëm për krime njerëzimi, të një ushtrie që nuk ishte ushtri por një grusht kryengritësish kryesisht nga zona fshatare, Jack Smith e len krejt këtë fare mesele dhe shkon ta lufton Trumpin drejtëpëdrejtë në Uashington, si prokuror special. Dëmi kolateral i aktakuzave boshe me kosto të madhe personale dhe reputacionale për të akuzuarit tjerë ka kush ta paguan.
Gjykata që pretendoi të jetë kosovare, por që sot është dëshmuar të jetë anti-shqiptare, anti-UÇK dhe anti-drejtësi (si mund të jetë tjetër kur për 10 vjetë ekzistence dështoi t’a identifikon një të vetmin të dyshuar serb pë krime lufte në Kosovë?), mbeti furishëm insistuese t’i mban liderët e lirisë dhe pavarësisë nen pranga. I mbajti në izolim total gjatë COVID-it dhe i ktheu në izolim gati të plotë pas akuzave se ca nga bashkëpunëtorët më të afërt të Thaçit paskan ndikuar në dëshmitar. Vetëm me paramendu Hajredin Kuçin, Blerim Shalën, Bashkim Smakën a Artan Behramin të jenë përfshirë në gjepura të tilla ështe komike.
Por fast-forward 5 vite gjykim të tmerrshëm, banal, frustrues – me 80% te dëshmive dhe dëshmitarëve të shpallur sekret, dhe me panel gjykatës që hajnë e pijnë natën me prokurorë, dhe bëjnë punën e prokurorit ditën, dhe Presidentit i rrefuzohen tri vizita njepasnjëshme ta viziton babën e sëmure, bacin Haxhi.
Deri sa e lanë ma në fund djalin me vizitu bacin e vet. Të rrethekum me policë me kaçketa bejzbolli dhe sjellje rrugaçe.
I pamë pra krejt skenat. E pamë mjekun e kërcënuar. E pamë djalin e mërzitur për babën e vet.
Dhe as tre ditë më vonë, baci Haxhi, djali i Sinan Thaçit që luftoi dy here Serbinë në fillim të shekullit 20 dhe baba i Hashim Thaçit, që luftoi Serbinë në fund të shekullit 20 dhe i cili edhe vetë morri pjesë në rezistencën e Drenicës dhe Kosovës, ndërroi jetë. Thuhet se fare në fund i kishte thënë mjekëve se “është ma mirë, se s’ka nevojë për ilaçe, se e pau djalin.”
Kjo pra ishte vizita e fundit e djalit, bacit të vet.
Dhe ky ishte fundi i jetës së një babe, një jete me dhimbje, gëzim dhe prapë dhimbke. Por i cili e megjithatë e pa djalin e vet për pak orë, për herë të fundit, një ditë të ngrysur fund-dimri, në këtë vit të Zotit 2025.