Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, ka akuzuar partitë opozitare për pengimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e konsideruar të padrejtë imponimin e një kandidati nga opozita për postin e kryetarit të Kuvendit.
Vitia tha se është e drejtë ekskluzive e LVV-së, si fituese e zgjedhjeve, të propozojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, duke theksuar se në këtë rast është Albulena Haxhiu.
Ai shtoi se vetëm pas zgjedhjes së kryetares dhe nënkryetarëve mund të diskutohet për hapat e tjerë, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kanë vendosur që të bllokojnë. Bllokuesit janë ata. Është e drejtë kushtetuese që ne ta paraqesim kandidaten tonë dhe të vazhdojmë me hapat e tjerë”, tha për RTV21.
Ai e cilësoi si të papranueshme që opozita të tentojë të imponojë kandidat për kryetar Kuvendi dhe e konsideroi këtë si shkaktar të një bllokade të panevojshme në procesin parlamentar.