Ish-deputeti Visar Ymeri, ka thënë se deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nuk janë të reja dhe se i ka thënë edhe më herët.
“Janë thënë edhe më herët që ShBA-të, ambasadori Hovenier, dhe i tërë establishmenti që merret me politikën e jashtme të ShBA-ve nuk e shohin Kosovën si partnere, nuk kanë bashkëpunim me Qeverinë e Kosovën”, ka thënë Ymeri në RTV Dukagjini.
Sipas Ymerit, një ndër pasojat do të jetë një lloj “abstenimi” që për sa kohë të kemi një Qeveri si kjo aktuale dhe me këtë sjellje, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë fare energji që të merren me Kosovën.
“Nuk është lajm i mirë, edhe pse nuk është i ri, këtë e kemi ditur edhe para dy javëve”, ka thënë tutje analisti, duke shtuar se “rikonfirmimi” i Hovenierit tregon se “punët nuk janë mirë”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ShBA-ja është e pakënaqur me cilësinë e partneritetit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk besoj se partneriteti ka të bëjë me dinarët, unë e shoh më të nuancuar se kaq. Mund të kemi partneritet të mirë dhe të fortë, më pak të fortë ose të pamjaftueshëm. Por nuk mendoj se është aq e thjeshtë sa të përgjigjem me po ose jo, me gjithë respektin për pyetjen tuaj. Të jem i sinqertë, nuk mendoj se qeveria ime mund të dërgojë sinjale më të qarta sesa ato që i kemi dërguar deri më tani, për atë se jemi të pakënaqur me cilësinë e partneritetit tonë me Kurtin. Ne nuk besojmë se qeveria aktuale ka qenë mjaft e vëmendshme ndaj shqetësimeve që kemi ngritur vazhdimisht në lidhje me planet dhe zbatimin ose zbatimin e mëvonshëm të Rregullores së Bankës Qendrore”, ka thënë Hovenier.