Portieri i kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj është zyrtarizuar si futbollisti më i ri i Tiranës.
Bekaj është prezantuar nga vetë Tirana në rrjetet sociale, me një video dhe me një mbishkrim interesant.
“Ai i di këto ngjyra. Ai e di këtë stemë. Ai është rikthyer aty ku duhet, deri më 2027. Një nga ne. Gjithmonë”, shkruan Tirana për rikthimin e Bekajt.
Sipas njoftimit të Tiranës, Bekaj ka nënshkruar kontratë deri më 2027, teksa sipas raportimeve nga mediume të shumta shqiptare dhe nga Kosova, ai do të fitojë 15 mijë euro në muaj.
Bekaj pati një aventurë dyvjeçare e gjysmë në futbollin turk te Hatayspor – në ligën e dytë turke – ku u transferua nga Tirana.
Te klubi nga kryeqyteti shqiptar, Bekaj kishte luajtur për tri vite, pasi më 2020 ishte transferuar nga Prishtina.
Visar Bekaj është portieri i tretë i kombëtares së Kosovës, me të cilën ka edhe nëntë paraqitje.






