Rrugën po e merr për tek mjeku, por fatmirësisht nuk ka ndonjë nevojë urgjente.
Sabrije Osmani nga Fushë-Kosova thotë se sa herë që vjen vjeshta merr rrugën për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë për t’u vaksinuar kundër viruseve sezonale.
Vaksina, sipas 73-vjeçares, i ndihmon ta kalojë më lehtë këtë periudhë.
“Po shkoj me marrë vaksinën edhe mu vizitu te mjeke. Mirë është me marrë pasi të ndihmon për grip. Çdo vit e kom marrë, na ka ndihmu kogja shumë”, ka thënë Sabrije Osmani – banore e Fushë-Kosovës.
Për të njëjtën arsye si të Osmanit, gjatë së enjtes në QKMF erdhi edhe Murat Murati me bashkëshorten e tij.
“Unë jam 52-vjecar, kam ardhë me marrë vaksinën, mirë ke. Na e marrim që 8 vite bashkë me shoqen, s’kemi pas problem dhe po ndihmon në sezonin e viruseve”, ka shtuar Murat Murati, Banor i Fushë-Kosovës.
Vaksinimin në këtë periudhë të ndjeshme, personat e moshës së shtyrë po e shohin të domosdoshëm.
“Me ka ndihmu shumë pasi nuk ankohem shumë, veç tensionit”, ka theksuar Fetije Kasumi- Banore e Fushë-Kosovës.
Numri i qytetarëve që po i drejtohen QKMF-së në Fushë-Kosovë për ketë arsye, është goxha i lartë.
Por stafi thotë se ka mjaftueshëm vaksina.
“Vaksinat kundër gripit sezonal kanë ardhë këtë herë me fillim të tetorit me herët se sa vitet e kaluara. Interesimi është mjaftë i lartë, afërsisht deri në 100 persona po e marrin këtë vaksinë brenda ditës”, ka thënë Rukije Krasniqi-Kuqi-, Doktoreshë në QKMF, Fushë-Kosovë.
Radha në qendrën kryesore “Fatmir Krasniqi” në Fushë-Kosovë, nuk është vetëm për vaksinim.
Viruset e kësaj periudhe, kanë bërë që korridoret e qendrës të jenë të ngarkuara.
“Kemi numër të lartë të pacientëve shkaku i virusit sezonal, pacientët zakonisht po kanë problem me temperaturë, ky është një virus sezonal”, ka shtuar Asllan Qerkinaj-Mjekë Specialistë në QKMF-në në Fushë-Kosovë.
Ne këtë qendër, banorët e Fushë-Kosovës mund të marrin ndihmë mjekësore 24 orë.