Mbretërit fillimisht u mposhtën nga Barcelona, duke u turpëruar në Bernabeu, e pastaj në Ligë të Kampionëve pësuan humbje edhe nga Milani.
Sot u pa një fytyrë krejtësisht tjetër e skuadrës së Carlo Ancelottit, por sërish Kylian Mbappe pati paraqitje dëshpëruese.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 34-të, kur Vinicius Junior hapi serinë, duke shënuar për 1:0 pas asistimit të Jude Bellingham.
Tetë minuta më vonë, Bellingham e gjeti golin e parë sezonal, duke çuar shifrat në 2:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në minutën e 61-të, Vinicius Junior shënoi golin e dytë personal, për rezultatin 3:0, e asistues ishte portieri Lunin.
Ylli brazilian e kompletoi het-trikun në minutën e 69-të, kur shënoi për 4:0, pasi paraprakisht Brahim Diaz përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e mysafirëve.
Me këtë fitore, Real Madridi afrohet në gjashtë pikë me liderin, Barcelona, kur të dy skuadrat kanë zhvilluar nga 12 ndeshje në La Liga.