Me të arritur në Kosovë, kombëtarja e Turqisë mori rrugën drejt stadiumit “Fadil Vokrri”.
Pasi e testuan fushën e stadiumit, dolen në konferencë për shtyp.
Selektori i Turqisë, Vincenzo Montella dhe Hakan Çalhanoglu u paraqitën në konferencë për shtyp.
Montella, në fillim të konferencës e shfrytëzoi rastin për ta falëndëruar presidentin e federatës turke për besimin.
“Që nga dita e parë e deri sot kam ndjerë mbështetjen e TFF-së. Nëse kam mesataren më të lartë të pikëve në ndeshje zyrtare, kjo është falë kësaj mbështetjeje. U bëmë një kombëtare e respektuar në botë. U ngjitëm në Ligën e Kombeve, u rritëm në renditjen e FIFA-s. Falënderoj të gjithë. Lojtarët e mi i ndiej si fëmijët e mi, si familjen time. Falënderoj z. Hacıosmanoğlu. Për ëndrrën tonë për Kupën e Botës, të cilën e kemi prej kohësh, do të bëjmë maksimumin”, tha ai fillimisht.
“Pavarësisht rezultatit në ndeshjen me Kosovën, mendimet e mia për lojtarët e mi nuk do të ndryshojnë kurrë. Nuk do t’i ndërroja me asgjë”, shtoi ai.
Tutje, Montella e analizoi lojën e Kosovës, teksa tha se kombëtarja dardane është këtu me plot meritë.
“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë një lojë dhe ide shumë të qartë. Këtë mund ta shihni edhe gjatë ndeshjes. Do të dalim në një finale. Edhe ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe e dimë çfarë duam të bëjmë”, tha ai.
Turqia nuk ka luajtur në Botëror që nga viti 2002, me Montellën që thotë se do ta bëjnë më të mirën për vendin e tyre.
“Të gjithë e ndjejnë presionin. Kjo është një finale. Prej 24 vitesh nuk kemi shkuar, por shumica e lojtarëve tanë as nuk kishin lindur atëherë. Nëse nuk kemi shkuar për 24 vite, nuk janë ata përgjegjës. Këtë herë duam të shkojmë dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tone”, tha ai.






