Kryeministri në largim, Albin Kurti ka alarmuar se grupe të shumta të serbëve janë organizuar për festimet e Vidovdanit, derisa policia ka dalë me një komunikatë për media ku ka thënë se janë bërë të gjithë përgatitjet e nevojshme.
Kurti gjatë së premtes deklaroi se këto grupe janë provokuese:
“Janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole, nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos të komunitetit serb, që të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë, që të mos bien pre e asnjë provokimi në ditën e nesërme.
Tubimet për Vidovdanin duhet të bëhen në përputhje me ligjin, e jo për instrumentalizim politik nga Beogradi, që tentojnë të eksportojnë krizën e tyre të brendshme politike në Kosovë, e pastaj të paraqiten si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre” – tha ai në mbledhjen e qeverisë në detyrë.
Ndërkohë, në lidhje me këtë është deklaruar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë duke bërë thirrje për përmbajtje e festime të qeta.
“Lidhur me festimet e të Vidovdanit, BE në Kosovë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje maksimale, në mënyrë që të mundësohet një zhvillim i qetë i festimeve” – u tha nga zyra e BE-së.
Policia thotë se ka ndërmarrë masa planifikuese
Policia e Kosovës ka thënë se janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë manifestimeve për “Vidovdan’.
Në një komunikatë për media, policia ka thënë se janë ndërmarrë masat planifikuese për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.
“Lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan, përmes një takimi zyrtar të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente” – thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë dhe të shmangin provokimet e mundshme.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm./Nacionale