Pas suksesit të dokumentarit Beckham (2023), që u fokusua në karrierën e David Beckham, Netflix ka sjellë këtë vit një seri të re kushtuar bashkëshortes së tij – Victoria Beckham. Projekti ndalet në rrugëtimin e vështirë të Victorias nga lavdia si pjesëtare e grupit “Spice Girls” deri te afirmimi si një dizajnere e vlerësuar në industrinë e modës. Dokumentari trajton sfidat, dështimet, skepticizmin e brendshëm të botës së modës dhe pasiguritë personale të saj, shkruan E! Online. Premiera u mbajt dje në Londër, ndërsa dokumentari është tashmë i disponueshëm në Netflix.
Victoria Beckham u martua me David Beckham në vitin 1999 dhe në atë kohë tashmë ishte nënë e djalit të tyre të parë, Brooklyn, i cili ishte vetëm 18 muajsh kur Spice Girls dhanë performancën e fundit në formacionin origjinal më 2000. Pas pauzës së grupit, ajo pranoi se ishte e pasigurt për të ardhmen e saj.
“Familja ime ishte e përsosur, por jeta dukej shumë e ngadaltë. Ndihesha e vetmuar dhe kujtoj që mendoja: ‘Zot, a do të më ftojë më dikush në ndonjë fluturim, në ndonjë xhirim?’ Thjesht nuk dija çfarë të bëja më,” ka rrëfyer ajo. David, ndërkohë, ka pranuar se atëherë nuk e kishte kuptuar sa e vështirë ishte për të bashkëshorten e tij.
Victoria është ndalur edhe te presioni publik për pamjen e saj fizike, përfshirë momentin kur u peshuar në mënyrë publike vetëm gjashtë muaj pas lindjes. “Sot mund të qeshim me atë, por në atë kohë isha shumë e re dhe më lëndoi vërtet”, tha ajo.
Ajo shtoi: “Fillova të dyshoj në vetvete dhe të mos e pëlqeja më veten. Humbisja çdo ndjesi realiteti. Më quanin herë ‘Porky Posh’, herë ‘Skinny Posh’. Dhe, për shkak se nuk mund të kontrolloja çfarë thuhej për mua, fillova të kontrolloja peshën time në mënyrë jashtëzakonisht të pashëndetshme”.
“Kur ke çrregullim në ushqyerje, bëhesh mjeshtër në fshehje. Kurrë nuk kam qenë e sinqertë për këtë as me prindërit e mi. Dhe kur të përsërisin vazhdimisht që nuk je e mjaftueshme, ajo të dëmton shumë,” ka treguar Victoria.
Pas zhvendosjes së familjes në Spanjë në vitin 2003, ajo pranoi se ishte përpjekur qëllimisht të mbetej në qendër të vëmendjes për të “mbajtur veten në lojë”, në një periudhë të mbushur me thashetheme, presion mediatik dhe lajme për lidhje të supozuara të bashkëshortit të saj.
Në atë kohë, ajo po përpiqej të gjente drejtimin e saj pas përfundimit të Spice Girls. “Ndihesha e paplotë, e trishtuar, sikur isha ngelur e ngrirë në kohë. E vlerësoja atë që kisha, por më duhej një qëllim”.
Kur nisi markën e saj të modës në vitin 2008, redaktorja legjendare e Vogue, Anna Wintour, për vite me radhë refuzoi ftesat për të ndjekur sfilatat e saj. Vetëm në shtator 2013 ajo u shfaq për herë të parë. “E njihja si një Spice Girl. Shumë të famshëm që hyjnë në botën tonë nuk janë dizajnerë të vërtetë – mendova se mund të ishte një hobi. Nuk besoja plotësisht,” pranoi Wintour në dokumentar. “Por Victoria na bëri të ndryshonim mendim”.
Megjithatë, deri në vitin 2016, edhe pse tashmë një dizajnere e njohur, biznesi i saj ndodhej në vështirësi të mëdha financiare. “Ishim miliona në humbje. Nuk dija çfarë të bëja,” tha ajo. David kujtoi: “Ne gjithmonë kemi qenë dakord të mbështesim njëri-tjetrin, por kjo situatë më shqetësoi shumë. Nuk ishte e qëndrueshme”.
Victoria pranoi se disa nga bisedat me bashkëshortin për këto probleme i kishin thyer zemrën. “Ishte e vështirë për të dy,” shtoi David, “sepse nuk mund ta ndihmoja më financiarisht në atë moment”.
Biznesmeni David Belhassen, kompania e të cilit investoi në markën e Victorias në vitin 2017 dhe e ndihmoi ta shpëtonte, tha fillimisht se nuk kishte besim në projekt. “Ishte një katastrofë. Nuk kishin bërë asnjëherë fitim. Nuk kisha parë diçka kaq të vështirë për t’u rregulluar,” tha ai, duke zbuluar madje shpenzime absurde si 80 mijë euro në vit për bimë zyre.