Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të Listës Serbe, duke i akuzuar ata për provokim para fillimit të seancës dhe keqpërdorim të taksave të qytetarëve, pasi tha se u paraqitën në Kuvend vetëm për mëditje.

Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, Konjufca u tregua i zëshëm ndaj deputetëve të Listës Serbe, duke i përzënë nga Kuvendi.

Megjithatë, VV jo gjithnjë u tregua kritike ndaj Listës Serbe.

Kjo pasi në qershor të këtij viti, deputetët e Listës Serbe, njëjtë, kishin shkuar veç sa për t’u nënshkruar por askush nga pushteti nuk e çeli gojën, e lëre më t’ua bllokojë ulëset.

Janë dhjetë deputetët e komunitetit serb që mbajnë ulëse në Kuvendin e Kosovës. 9 nga ta janë deputetë të Listës Serbe ndërkaq i dhjeti është nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit në vitin 2022, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Këta deputetë shkuan të nënshkruhen dhe dolën, në sallën e seancave në katin më të lartë të Kuvendit, pasi salla e seancave plenare ishte në renovim.