23.4 C
New York
Tuesday, July 1, 2025

Buy now

Vetëvendosje e largon nga partia të arrestuarin Shemsi Bahtiri, i dyshuar për trafikim droge

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas operacionit të njësitit antidrogë të Policisë së Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe INTERPOL-in, që rezultoi me arrestimin e 22 personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.

Në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe Shemsi Bahtiri, për të cilin mediat raportuan se ka pasur lidhje me këtë subjekt politik.

Përmes një reagimi publik, Vetëvendosje ka deklaruar se mbështet plotësisht aksionin e institucioneve të rendit dhe drejtësisë kundër rrjeteve të drogës, duke inkurajuar qytetarët dhe anëtarët e saj që të denoncojnë çdo veprimtari të paligjshme.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! jo rrallë herë kemi bërë denoncime të tilla përmes anëtarëve e aktivistëve tanë. E njëjtë do të vijojmë të bëjmë,” thuhet në reagim.

Lidhur me raportimet për përfshirjen e një personi të afërt me Vetëvendosjen, partia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë menjëherë veprime të brendshme verifikuese.

“Pas këtij informacioni, ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë. Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë,” thuhet tutje në njoftim.

Sipas LVV-së, ky vendim do të mbetet në fuqi deri në sqarimin dhe verifikimin e plotë të identitetit të personit nga organet kompetente.

Të ngjashme

Të fundit