Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një reagim publik pas publikimit të videoinçizimit ku Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi, dy figura të larta të Vetëvendosjes në Prishtinë shihen teksa i bëjnë presion asamblistit të tyre, Berat Lahu, që të lëshojë sallën e të mos lë krijimin e kuorumit për kalimin e buxhetit komunal.
Por, Lahu s’i lë të kalojë presione i tyre duke u kërkuar llogari se pse Vetëvendosja i kishte kaluar një kuorum kuvendit komunal, që sipas tij, “Albin Kurti thirrke në telefon, çone dorën” dhe se “janë vjedhë 50 milionë në emër të Albin Kurtit”.
“Dil atje tregona pse na kena nejt qitu”, i thoshte Lahu, Sveçlës.
Por Vetëvendosja tha se “i demanton dhe distancohemi” nga pretendimet e Lahut për çka në fund të tekstit, indirekt, e akuzojnë se u ble “përmes pazareve të pista” për të qëndruar në sallë që të lejojë kalimin e buxhetit.
Postimi i VV-së:
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prishtinë jo vetëm që distancohet por edhe demanton secilin pretendim të thënë sot nga asambleisti Berat Lahu në video-incizimin e publikuar në media.
I njëjti asambleist duke dashur të arsyetojë veten për thyrjen e vendimit zyrtar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Si dhe të mbulojë implikimet e tij personale të bëra sot me ekzekutivin e Komunës me ç’rast si asamblist i LV-së mundësoi kuorumin, kalimin e buxhetit. Poashtu në rend dite u tentua që përmes tij të kontrabandohet edhe revidimi i planit rregullues të hollësishëm “Zona Ekonomike” si dhe Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) 2024-2032 të Kryetarit Përparim Rama. Prandaj ky asambleist sulmon duke formuluar shpifje të kulluara për Kryeministrin Kurti.
Jo Kryeministri Kurti, por asnjë zyrtar apo aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në asnjë rrethanë, asnjëherë, nuk ka qenë i përfshirë e as është marrë me çështjen që thekson ky asambleist. E kundërta, falë qendrimeve dhe veprimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbrojtur interesi publik.
Lëvizja VETËVENDOSJE!- Qendra Prishtinë i kërkon falje opinionit publik për situatën e krijuar sot në Kuvendin Komunal, mirëpo thekson se kjo seancë, ai kontrabandim buxheti, është shoqëruar me pazare të pista duke blerë individualisht asamblistë që thirren në përfaqësim të qytetarëve, ndërkohë që përfunduan në prehrin e oligarkëve që qeverisin realisht me komunën siç është ajo me Devollët dhe pjesëtarë të tjerë të klubit të biznesit.