Sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali u zhvillua turneu i futbollit me moton “Futbolli na bashkon”, një iniciativë e veçantë kjo e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, në prag të përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.
Turneu mblodhi së bashku tetë ekipe pjesëmarrëse, përfshirë ekipin nga Qeveria e Kosovës, atë të partive politike, të Ambasadave, të KFOR-i gjerman, dy ekipe nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe asaj në Tiranë, si dhe ekipin e veteranëve të FFK-së. Ky aktivitet sportiv u karakterizua nga një atmosferë miqësore dhe gjithëpërfshirëse, duke reflektuar kësisoj fuqinë e sportit për të afruar komunitete dhe institucione të ndryshme.
Fitues i turneut doli ekipi i Veteranëve të FFK-së, që në finale e mposhti ekipin II të Ambasadës Gjermane, me rezultat 3:0. Golat për Veteranët e FFK-së i shënuan Sheremet Isufi, Menduh Salihu dhe Lulzim Berisha. Trofeun kapitenit Lulzim Berisha ia ndau ambasadori Jorn Rohde.
Paraprakisht, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i dorëzoi një mirënjohje të veçantë ambasadorit Rohde për kontributin dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme ndaj futbollit të Kosovës dhe për promovimin e vlerave të bashkëpunimit përmes sportit.
Ambasadori Rohde, i cili është dëshmuar si një mik i madh i Kosovës dhe veçanërisht i futbollit kosovar, në muajin qershor do ta përfundojë mandatin e tij në Kosovë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Suedisë dhe Shqipërisë, derisa në fund ambasadori Rohde shtroi një drekë për të gjithë pjesëmarrësit, si shenjë falënderimi dhe respekti për kontributin e tyre në këtë ngjarje sportive