Pas dënimit të Mustafës nga Gjykata Speciale kanë reaguar të gjitha subjektet politike në vend, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Madje për dënimin e Mustafës nuk ka reaguar as presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka quajtur dënimin e Mustafës verdikt indinjues, ndërsa ka thënë se është e papranueshme kur “çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se historinë e Kosovës askush nuk mund të ndryshoj apo ta rishkruaj.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj”, ka thënë Krasniqi.
Në pafajësinë e ish-komandantit të UÇK-së beson edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!”, ka thënë ai.
Për dënimin e Mustafës, reagoi edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili tha se pafajësia e UÇK dhe popullit të saj nuk mund të njolloset.
“Vendimi i sotëm ndaj Sali Mustafës mu duk pak absurd. Unë jam i bindur qe apeli do ta rrëzoj këtë dhe Sali Mustafa do të shpallet i pafajshëm. Provat e pafajësisë janë të pakontestueshme. Gjykata nuk duhet të jetë politike. Rroftë UÇK-ja!”, tha Pacolli.
Po ashtu edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar për dënimin e Salih Mustafës.
“Fatkeqësisht, dënimi i sotëm i shqiptuar ndaj komandant Calit edhe një herë konfirmoi se shqetësimet tona të shprehura gjatë kohës kur diskutohej dhe vendosej për themelimin e kësaj Gjykate ishin të drejta! Presim që drejtësia e mohuar në shkallën e parë ndaj komandant Calit, të vëhet në vend në shkallën e apelit”, thuhet në reagimin e Limajt.
Lidhur me dënimin e Mustafës ka reaguar edhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
“Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e LVV-së.
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. /Demokracia/