Funksionojnë në kuadër të Prokurorit të Shtetit.
Për tërë rajonet e Kosovës, viktimat e krimit kanë në dispozicion vetëm 22 mbrojtës të dedikuar për ta.
Kjo zyre funksionon në shtatë regjione, ku në regjionin e Prishtinës i kemi shtatë mbrojtës të viktimave, në Mitrovicë i kemi dy, në Pejë katër, në Gjakovë vetëm një, në Prizren katër, në Ferizaj dy dhe në Gjilan i kemi tre mbrojtës të viktimave.
Për këtë numër të vogël të mbrojtësve, rëndojnë lëndë me numra treshifror.
Në vitin 2023 i kemi trajtuar afro 3 mijë raste, që i bie përafërsisht 150 raste t’i trajtojë çdo mbrojtës përgjatë një viti. Duke pasur parasysh që jo vetëm rastet e dhunës në familje, por ne i trajtojmë edhe rastet e vrasjeve, trafikimit të qenieve njerëzore, abuzimet seksuale dhe grabitjet. Kështu që janë të stërngarkuar.
Mungesa e kapaciteteve njerëzore në Zyrën për Mbrojtje të Viktimave, llogaritet të jetë pasojë e mungesave buxhetore që shteti ndan për institucionet e drejtësisë.
Këto kapacitete të pamjaftueshme normalisht që sjellin si pasojë moskryerjen e detyrave me efikastitet të zyrtarëve. Ky problem mendoj se buron në një fushë tjetër. Pasi ne vazhdimisht kemi theksuar se sistemi gjyqësor dhe sistemi prokurorial ka mungesë së pari të kapaciteteve financiare. Pra, qeveria dhe ministria nuk mbështet mjaftueshëm dhe sa duhet sistemin gjyqësor dhe prokurorial me kapacitete buxhetore dhe financiare.
Edhe pse të paktë në numër, mbrojtësit e viktimave kanë mjaftueshëm probleme për ta kryer detyrën e tyre.
Si zyre e kemi sfidë edhe hapësirat, do të thotë nuk kemi hapësira të mjaftueshme, edhe pse edhe si zyre si ato regjionale edhe kjo e Prishtinës, jemi të vendosura në kuadër të Prokurorit të Shtetit. Mirëpo, duke pasur parasysh shtimin e rasteve dhe natyrën e ndjeshme të rasteve, hapësirat duhet të jenë adekuate për intervistimin e viktimave.
Sfidë tjetër i vlerësojnë edhe veturat që i kanë në dispozicion.
Pothuajse të gjitha veturat janë të vjetërsuara dhe kanë skadim të afateve, e të cilat nuk ishte dashur të përdoreshin për siguri të stafit. Edhe për këtë është parashtruar si kërkesë në instancat më të larta. Kemi premtime, por deri më sot nuk ka realizim.
Numrin e paktë të mbrojtësve të viktimave, e kishte theksuar edhe ministrja e Drejtësisë në konferencën për media, pas takimeve të mbajtura në lidhje me vrasjet e fundit të grave. /Tëvë1/