-1.4 C
New York
Friday, February 21, 2025

Buy now

Vështirësitë në Trepçë, minatorët ankohen për pajisje të vjetra e pak investime

- Advertisement -

“Njoftoheni që restauranti nuk do të punoj, deri në një njoftim tjetër”.

Këtë njoftim e kanë tash e dy vite.

Megjithatë, mungesa e shujtave ditore nuk janë problemi i vetëm i minatorët e Trepçës.

Ndërmarrja që dikur konsiderohej si motori i zhvillimit ekonomik të vendit, në vitet e fundit ka qëndruar buzë kolapsit.

Vazhdimisht, minatorët kanë pasur ankesa kryesisht për vonesat në paga, e situata nuk merrej me lehtësi as nga qeveria kur i ndihmonte për tejkalimin e situatave, si ajo kur ndau 4 milionë në korrik të vitit të kaluar.

“Duket që ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka“, kishte thënë kryeministri Albin Kurti.

Por përtej pagave, problemet e tyre janë edhe më bazike e që e vështirësojnë kryerjen e punës.

“Janë stërvjetëru mjetet e punës, janë këto tash që formojnë tym, gazëtara dhe sene,kushtet janë më të vështira, prodhimi është më i dobët, horizonti i 12 që sa vite tash veç është qel kurrë nuk është investu në të”,ka thënë minatori Fehmi Hajredini.

Situata me pagat, minatori Gani Osmani thotë se është përmirësuar muajve të fundit, por gjendja është larg ideales.

“Cka është më e keqja është që çdo kund punëtorët kërkojnë kushte lypin rritje të pagave nëve na u dufke me u ndalë, me na qitë pagat që kemi punu, mirëpo kohëve të fundit i ka nja 5-6 muaj është rritë prodhimi edhe për mometin jemi duke i marrë me kohë”, ka thënë një minator tjetër, Gani Osmani.

Lidhur me këto shqetësime konkrete të punëtorëve, nuk pranoi të flas Fatlum Ahmeti ushtrues detyre në pozitën e kryeshefit në bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, që preferoi të flasë një herë tjetër për këto telashe.

Ai ishte bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Artane Rizvanolli, në manifestimin për shënimin e 36 vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës.

Kurti, përmendi mes tjerash kthimin e disa pronave të Trepçës në menaxhim, rritjen e prodhimit muajve të fundit por edhe rritjen e punëtorëve, çka sipas tij pret të sjellë rritje të përfitimeve financiare për ndërmarrjen e Kosovën.

Nuk përmendi asgjë për kushtet e minatorëve por më shumë foli për kërkesat e grevistëve të 20 shkurtit të vitit 1989.

Por, kryesindikalisti i minatorëve Ibrahim Jonuzi thotë se pa ndihmën e qeverisë, vështirë se do të rimëkëmbët ndërmarrja.

“Trepça ka fillu të jap një shenjë diçka, mirëpo nuk është që jemi në rrugën e duhur pasi që pa investime të qeverisë së Kosovës pa një strategji të mirëfilltë, mendoj që këtë gjendje që është “Trepça” vështrirë vështirë të rikuperohet vetëm me punën e minatorëve”, Jonuzi.

Trembëdhjetë minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” kishin pësuar lëndime  në janar të 2024-tës gjatë transportimit të acidit sulfurik në ambientet e punës.

E dy të tjerë muaj më vonë deri sa punon në një trafo të rrymës.

Këtë të enjte të gjithë minatorët e kishin pushim përshkak të fillimit të “Javës së Minatorëve”, në nderim të grevës së 20 shkurtit 1989 që kishte zgjatur 8 ditë, me kërkesat për të drejtat kushtetuese të shqiptarëve dhe kundër revokimit të autonomisë së Kosovës.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit