Në një nga momentet më vendimtare për të ardhmen urbane të Mitrovicës, Vesa Broja, asambleiste e PDK-së dhe kryetare e Kuvendit, zgjodhi të dalë kundër partisë së saj dhe kryetarit Bedri Hamza, duke mos e votuar projektin e Hartës Zonale.
Harta Zonale, një projekt kyç për zhvillimin e balancuar dhe të qëndrueshëm të qytetit, kishte filluar nga Vetëvendosje dhe ishte përkrahur dhe avancuar më pas nga udhëheqja e PDK-së. Megjithatë, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, projekti dështoi të miratohej, pikërisht për shkak të mungesës së votës së Vesa Brojës.
Ky veprim i Brojës shihet si një kundërshtim i hapur ndaj përpjekjeve të Bedri Hamzës për ta krijuar hartën për zhvillimin urban në Mitrovicë. Bashkë me abstenimet e asambleistëve të Vetëvendosjes dhe disa të LDK-së, mungesa e mbështetjes nga ana e saj i dha goditjen fatale procesit.
Raportimet e “Jepi zë” zbulojnë se disa ndërtues privatë e kundërshtonin hartën për shkak të kufizimeve që ajo vendoste për ndërtimet shumëkatëshe, ndërkohë që vetë qytetarët kishin nevojë për rregullim të qartë të hapësirës urbane dhe zhvillim të qëndrueshëm.