Pak ditë pas eliminimit të Belgjikës nga “Euro 2024”, mbrojtësi Jan Vertonghen është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar.
Të premten, Federata e Futbollit të Belgjikës me anë të një postimi ka falënderuar mbrojtësin 37-vjeçar për kontributin e dhënë.
“Prej stërvitjes në ndeshje, ti ke treguar se je një djall i kuq i vërtetë. Do të na mungosh Jan”, shkruante në postimin e federatës belge.
Vertonghen debutoi me Belgjikën në vitin 2007 dhe me 157 ndeshje të luajtura është rekordmen sa i përket paraqitjeve, ndërsa ka shënuar edhe 10 gola.
Ai të hënën luajti ndeshjen e tij të fundit me Belgjikën, e cila u eliminua në 1/8 e finales të “Euro 2024” nga Franca.
Belgjika u mposht 1:0 dhe atë me autogolin e Vertonghenit, i cili devijoi gjuajtjen e francezit Randal Kolo Muani.
Në nivel klubesh, Vertonghen karrierën e ka nisur tek Anderlechti për të vazhduar te Tottenhami dhe Ajaxi, ndërsa aktualisht është lojtar i lirë.