Opinione

Veprimet në veri që bëhen pa koordinim me aleatët, janë thikë pas shpinës për shtetin e Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

August 25, 2023

Shkruan: Besa Ismali

Zhvillimet e fundit në veriun e Mitrovicës tregojnë edhe njëherë sesi është kuptuar dhe si po zbatohet de-eskalimi nga ana e Kosovës dhe Serbisë, si palë negociatore. të cilat po merren me një lloj ‘marrje nën kontroll të ndërtesave’.

Një qasje e tillë nuk rezulton në asgjë të mirë përveç që kontribuon në wagnerizimin e mëtejmë të veriut të Kosovës.

Qasja e qeverisë së Kosovës e ndihmon lojën e dyfishtë të Vuçiqit me perëndimin dhe disfavorizon Kosovën në tryezën e bisedimeve në Bruksel që pritet të rifilojnë pas dy javësh. [aq kohë sa komuna e Mitrovicës së Veriut u detyrua të shtyejë afatin për lirimin e objektit në Lagjen e Boshnjakëve, të cilin vendim të paefektshëm dhe populist e kishte marrë pa koordinim me ndërkombëtarët!]

Qeveria duhet të kuptoj që asnjë lloj integrimi i veriut nuk ndodhë me ‘çlirimin’ apo ‘uzurpimin’ e ndërtesave.

Aq më tepër kur e dimë asimetrinë e investimeve të Beogradit në ndërtime në atë pjesë krahasuar me Kosovën, ku janë ndërtuar disa dhjetra ndërtesa të ndryshme të destinuara për ripopullzim dhe shtrirje institucionale të Sërbisë.Asnjë ndërtim i ri nuk është bërë nga qeveria e Kosovës as për këto tri vite të pushtetit. Banorët nuk kanë gëzuar përkujdesje institucionale nga shteti i Kosovës, por janë vënë në sprova të vazhdueshme dhe agoni të pasigurisë sa të heshtur aq edhe të rrezikshme.

Shpërbërja e strukturave paralele bëhet në tryezë të bisedimeve dhe me dialog. Kush e refuzon dialogun vetëm sa fuqizon dhe legjitimon strukturat paralele serbe në veri. Integrimi i serbëve lokal nuk bëhet përmes ndarjeve në ndërtesa fizike. Ndërtimi i jetës së përbashkët qytetare dhe institucionale bëhet përmes shërbimeve të integruara dhe të qendërzuara në Prishtinë, e për të cilat duhet biseduar dhe siguruar mbështetje dhe garancione nga aleatët tonë amerikanë dhe evropianë.

Veprimet në veri që bëhen pas shpinës së aleatëve të Kosovës, janë thikë pas shpinës për shtetin e Kosovës dhe lënie në gojë të ujkut për banorët shqiptarë atje.

Kjo nuk guxon të ndodhë!