Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se në takimet brenda Ministrave të Mbrojtjes të Aleancës NATO, është kërkuar nga Kosova që të rifillojë procesin e dialogut me Serbinë, dhe të ketë një momentum të ri.
Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka theksuar se Kosovës i duhet që t’i përfundojë disa detyra të shtëpisë sa i përket anëtarësimit në NATO, të cilat sipas tij, në momentin e sigurisë aktualisht në rajon janë detyra kryesisht të natyrës politike të bashkërendimit politik me aleancën NATO.
Ndër të tjera, ai ka thënë se mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është duke vazhduar, duke treguar edhe gjërat që i kërkoi për Kosovën në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
Deklarata pozitive ai pati edhe për bashkëpunimin mes dy ushtrive të shteteve tona, i cili ka ndarë projektet që po bëhen së fundi mes FASh-it dhe FSK-së.
Vengu tha se Shqipëria po bën një punë domethënëse për të rijetësuar industrinë ushtarake dhe shtoi se “në këtë proces edhe Kosova duhet të gjejë veten dhe benefitin e saj”.
“… kështu që mund të shkojmë përmes partneriteteve për të bërë, për të porositur mjete e pajisje dhe materiale në mënyrë të përbashkët për të ulur kostot, për të pasë një ndërveprueshmëri më të mirë midis të dyja forcave”, potencoi ministri shqiptar, Pirro Vengu.
Intervista e plotë
Klankosova.tv: Cilat janë gjërat pozitive për Kosovën që u diskutuan në këto takime përgjatë këtyre dy ditëve aq sa ju aty ishit brenda, pra në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Shteteve Anëtare të NATO-s?
Vengu: Elementi më domethënës dhe me pozitiv i këtij ministeriali, do të thosha unë, kur vjen puna tek Kosova dhe siguria e Kosovës, ka të bëjë me ndjeshmërinë që e ndajnë të gjithë aleatët duke nisur që nga komandanti i Përgjithshëm i Forcave të NATO-s në Evropë, Gjeneral Cavoli, dhe të gjithë në fakt ministrat dhe kolegët e tjerë që kanë bashkëndarë me mua shqetësimin tonë, për sa i përveç vulnerabilitetit të sigurisë në rajon, dhe faktin që edhe në Kosovë edhe në zonën kufitare me Serbinë situata mbetet vulnerabël, për efekt të disa elementeve qoftë provokues, qoftë edhe të rritjes së tensioneve për mungesë bashkërendimi apo bashkëveprimi.
Qasaj jonë ka qenë shumë e kthjellët. Ne kemi kërkuar nga të gjithë partnerët që vëmendjen që e kanë të gjithë ta përkthejnë edhe në veprime politike për të ulur barrierat e bashkëpunimit mes Aleancës edhe Kosovës. E kemi kërkuar në mënyrë shumë të kthjellët, kemi kërkuar që të jepet mbështetje kur vjen puna tek ndihmesa që mund të japin struktura të specializuara të NATO-s, për bashkëpunim teknik me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është një realitet, këtë realitet ne duam jo vetëm ta mbështesim, edhe të influencojmë për mirë në fuqizimin e kësaj force.
Kemi bashkëndarë një vlerësim të situatës për kërcënimet të natyrës hibride kur vjen puna tek aktivitetet malinje të palëve të treta në rajon. Fakti që këto palë të treta kanë influencë, qoftë në Serbi, qoftë edhe përmes kërcënimeve hibride, përcjellin mesazhe negative kur vjen puna tek realiteti në terren.
Ajo që dua të them gjithashtu është që në vlerësimin e të gjithë aleatëve është e rëndësishme që përkundër mbështetjes që NATO jep, përkundrejt faktit që KFOR-i është garancia kryesore për sigurinë e Kosovës, duhet që gjithashtu Kosova të bëjë disa detyra shtëpie për sa i përket procesit të dialogut, është shumë e rëndësishme që të vijojë… e theksuan një pjesë e aleatëve tanë strategjikë dhe më të rëndësishëm, dhe padyshim duhet mirëkuptuar faktin që kur vjen puna për qëndrimet që mban Shqipëria për Kosovën, patjetër që ne kemi dy kapele: kemi kapelën e shtetit amë dhe patjetër që kur na jepet mundësia ne mundohemi të influencojmë në favor të Kosovës në Aleancë, sikundër kemi edhe kapelën në NATO efekt të ndërveprimit që na duhet të kemi dhe të mesazheve të duhura që duhet të japim në NATO kur vjen puna për zhvillimet në Kosovë.
Të gjithë aleatët e ndanë faktin që dialogu duhet rifillojë dhe duhet të ketë një momentum të ri, i cili besoj unë do t’i japi edhe më shumë instrumente Shqipërisë, që të maksimizojë mbështetjen në Aleancë për Kosovën.
Klankosova.tv: A ka ndërruar ndonjë gjë gjatë këtyre takimeve nga shtetet të cilat janë kundër anëtarësimit të Kosovës në aleancën NATO?
Vengu: Patjetër që shtetet mosnjohëse vazhdojnë ta mbajnë të njëjtin qëndrim, por në hierarkinë e këtyre qëndrimeve, besoj se ka vende që kanë një qasje më pozitive se ndoshta dhe disa të tjera. Përkundrejt këtyre shteteve besoj se edhe Kosova, edhe Shqipëria duhet të kenë një qasje proaktive, të konsultohen më tepër me to dhe të arrijnë të kenë fryte të bashkëpunimit teknik të cilat në fillim janë ato që janë të rëndësishme në këtë fazë dhe shtrojnë rrugën për bashkëpunim më të konsoliduar. Ne kemi vite dhe në çdo format të mundshëm që kërkojmë që formati i Partneritetit të Paqes t’i ofrohet Kosovës si një paradhomë për anëtarësim.
E kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë përsëri, por ajo që është e rëndësishme është që të kuptojmë që për të arritur këto suksese duhet që edhe Kosova të bëjë disa detyra shtëpie, të cilat në momentin e sigurisë aktualisht në rajon janë detyra kryesisht të natyrës politike të bashkërendimit politik me aleancën, të evitimit të një qasjeje, kur vjen puna tek mesazhet që jepen për rëndësinë e KFOR-it, duhet të jemi shumë të kthjellët për rëndësinë që ka dhe të mos krijojmë keqkuptime sa i përket rolit të KFOR-it në Kosovë. Të gjithë aleatët insistuan me shumë vendosmëri që dialogu politik të jetë çelësi përmes të cilit zhbllokohen të gjithë mekanizmat në fakt të bashkëpunimit të NATO-s me Kosovën.
Klankosova.tv: Cilat janë bashkëpunimet e fundit mes FASH-it dhe FSK-së?
Vengu: Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer do të thosha kur vjen puna mes bashkëpunimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Unë jam në ndërveprim, ndonjëherë çdo ditë me kolegun Ejup Maqedonci, e vlerësoj shumë edhe eksperiencën edhe ekspertizën e tij, edhe kthjelltësinë e tij kur vjen puna e vlerësimit të situatës në rajon edhe mënyrën se si Shqipëria duhet të ndërveprojë. Ne jemi të shkollës së bashkëpunimit konkret, dhe jo të bashkëpunimit përmes memorandumeve e letrave, kemi nënshkruar shumë letra në të kaluarën, të cilat nuk janë pasuar ndoshta me efekte.
Kemi disa të reja pozitive kur vjen puna e formimit të oficerëve të rinj të FSK-së, kemi një rritje të numrit të tyre që vijnë studiojnë tek Akademia e FASh-it. Do të fillojmë ta mbështesim këtë rritje edhe përmes instrumenteve financiare që të sigurojmë një vazhdimësi. Kjo është një mënyrë që forcat të fillojnë të ndërveprojnë.
Projekti i dytë është në brezin midis dy anëve të bjeshkëve tona të përforcojmë bashkëpunimin kur vjen puna tek emergjencat civile, pse jo edhe të kemi një strukturë të dedikuar e cila do të jetë e dyfishtë edhe nga pikëpamja e sigurisë edhe nga pikëpamja e mbrojtjes civile.
Kemi gjithashtu ndërmend të thellojmë bashkëpunimin kur vjen puna edhe tek industria ushtarake. Shqipëria po bën një punë domethënëse për të rijetësuar industrinë ushtarake dhe mendoj se në këtë proces edhe Kosova duhet të gjejë veten dhe benefitin e saj, kështu që mund të shkojmë përmes partneriteteve për të bërë, për të porositur mjete e pajisje dhe materiale në mënyrë të përbashkët për të ulur kostot, për të pasë një ndërveprueshmëri më të mirë midis të dyja forcave.
Të gjitha këto tre shtylla janë ato që na mbështesin në muajt në vijim.