Venezuela do t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë, me vlerë 2.8 miliardë dollarë. Lëvizja u njoftua nga presidenti amerikan Donald Trump i cili tha në një postim në rrjetet sociale se nafta do të shitet me çmimin e tregut dhe paratë do të kontrollohen nga vetë ai për të siguruar që përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Jam i lumtur të njoftoj se Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do t’i dorëzojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar me cilësi të lartë”, shkroi presidenti amerikan.
Deklarata e Trump erdhi pasi ai tha se industria amerikane e naftës do të fillonte në Venezuelë brenda 18 muajsh dhe se priste që investime të mëdha të hynin në vend.
Megjithatë mund të duhen dhjetëra miliardë dollarë, dhe potencialisht një dekadë, për të rikthyer prodhimin e mëparshëm të Venezuelës. Trump ka argumentuar ditët e fundit se kompanitë amerikane të naftës mund të rregullojnë infrastrukturën e naftës së Venezuelës.
Komentet e tij vijnë teksa në Venezuelë, Delcy Rodriguez, ish numri dy, u betua si presidente e vendit, pasi Nicolas Maduro u arrestua dhe përballet në Shtetet e Bashkuara me akuzat për trafik droge dhe armësh.
Trump ka argumentuar ditët e fundit se kompanitë amerikane të naftës mund të rregullojnë infrastrukturën e naftës së Venezuelës. Vendi i Amerikës së Jugut ka rreth 303 miliardë fuçi, rezerva më e madhe në botë, por prodhimi i saj i naftës ka qenë në rënie që nga fillimi i viteve 2000. Nafta venezueliane është gjithashtu e rëndë dhe më e vështirë për t’u rafinuar dhe aktualisht në vend operon vetëm një firmë amerikane, Chevron./abcnews.al






