Home Lajme Venecia ia rrëzon Ministrisë së Drejtësisë kërkesën kryesore për reformë: S’mund të shtohet numri i anëtarëve në Këshillin Prokurorial

Venecia ia rrëzon Ministrisë së Drejtësisë kërkesën kryesore për reformë: S’mund të shtohet numri i anëtarëve në Këshillin Prokurorial

0
Venecia ia rrëzon Ministrisë së Drejtësisë kërkesën kryesore për reformë: S’mund të shtohet numri i anëtarëve në Këshillin Prokurorial

Kërkesa kryesore e Ministrisë së Drejtësisë pas rrëzimit nga Kushtetuesja, ishte që numri i anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës të shtohet në 19. Kjo për të siguruar balancën ndërmjet anëtarëve, duke votuar anëtarë të rinj në Kuvendin e Kosovës, dhe më pas të vazhdohet me reformë.

Megjithatë kjo kërkesë kryesore e Ministrisë së Drejtësisë është rrëzuar, dhe këtë e ka konfirmuar e para e MD-së, Albulena Haxhiu, raporton Nacionale.

“Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por të mbetet në 7, siç kemi theksuar ne dhe kjo konsiderohet reforma që e konsiderojmë të rëndësishme. Këshilli duhet të funksionojë me standardet ndërkombëtare dhe të jetë institucion i pavarur e të ketë debat demokratike në kuadër të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë”, ka thënë Haxhiu.

Si rezultat, aktualisht reforma duket të jetë bllokuar pasi në anën tjetër Gjykata Kushtetuese, e kishte rrëzuar Ligjin me të cilin anëtarëve aktualë iu merret mandati me short.

“Dy ndryshime në Ligjin për KPK-në: Përbërja permanente nga 7 anëtarë; 3 prokurorë, 3 anëtarë joprokurorë dhe kryeprokurori i shtetit. Dhe nga 13 anëtarë të KPK-së në 19 deri në janar të 2026-s, që të sigurohet balancim i përbërjes deri atëherë kur anëtarëve të KPK-së t’iu përfundojnë mandatet. Nga ndryshimet kemi propozuar kritere shtesë për anëtarët e Këshillit”, tha më tutje ajo.

Haxhiu tha se është e rëndësishme se Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion i pavarur. Ajo foli edhe për opozitën, duke thënë se në vazhdimësi po i pengon reformat në drejtësi.

“Është e rëndësishme që Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion i pavarur kushtetues, të ketë debat e diskutim demokratik në kuadër të anëtarëve prokuror dhe anëtarëve joprokuror, sepse siç e dini për momentin kemi probleme shumë të mëdha me Këshillin Prokuorial të Kosovës. Vetëm vendimet e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovën na kanë dëshmuar që reforma në këtë institucion është jashtëzakonisht e nevojshme”, tha Haxhiu.

Një opinion nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kishte zbardhur se me ndryshime ligjore, duhet të synohet reformë duke ndryshuar përbërjen e KPK-së në formë graduale.

Kjo pasi aktualisht KPK-ja ka 11 anëtarë, në vitin 2024 do të ketë 10 anëtarë, në vitin 2025 9 anëtarë, kurse më 1 janar 2026 vetëm 2 anëtarë. Pra, të gjithëve pothuajse do t’u përfundonte mandate.

“Në dispozita kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK të cilët përfundojnë mandatin nuk kanë mundësi që të zëvendësohen me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të zhvillojë procedurat për përzgjedhjen e 4 anëtarëve të KPK. Secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli mbetet me 2 anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të jetë i kompletuar me 7 anëtarë”, thuhej në opinionin e IKD-së.

MD-ja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bëri disa ndryshime duke synuar rritjen e numrit të anëtarëve me qëllim të realizimit të reformës. Megjithatë, kjo u rrëzua si ide nga Komisioni i Venecias.

Si rezultat, aktualisht reforma për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mund të mbetet e bllokuar përderisa anëtarëve të tanishëm t’u përfundojë mandati.

Exit mobile version