Lideri i opozitës ruse, i cili aktualisht ndodhet pas hekurave, ka treguar se Yevgeny Prigozhin themeluesi i kompanisë ushtarake private Wagner ka vizituar burgun në të cilin ai po vuan dënimin për të rekrutuar të burgosur.
Kompania private ushtarake Wagner ruan aktualisht një rol të madh në luftën në Ukrainë.
Navalny, i cili mbahet në koloninë penale të sigurisë maksimale rreth 250 km në lindje të Moskës, ka treguar detaje nga vizita e Yevgeny Prigozhin-t.
Ai tha se Prigozhin u kishte ofruar të dënuarve falje nëse ata mbijetonin gjashtë muaj me Wagnerin. Po ashtu, ai tregoi se 80-90 për qind e tyre e kishin pranuar ofertën e Prigozhin-t pasi u kishin lënë pesë minuta për t’u menduar.
Se kur ka ndodhur vizita lideri i opozitës ruse nuk ka dhënë detaje.
Vetë Prigozhin, në komentet e lëshuara nga zyra e tij e shtypit nuk pranoi të konfirmonte vizitën, por tha se nuk shihte asgjë të keqe në ofrimin e një “shansi të dytë” për të burgosurit.
Kujtojmë se në shtator, u publikuan pamjet e kreut të Wagner-it, i cili ka kryer nëntë vjet burg gjatë epokës sovjetike për krime duke përfshirë vjedhje dhe mashtrim, ndërsa ofronte një marrëveshje të ngjashme për të dënuarit në një burg në qytetin Yoshkar-Ola rreth 760 km në lindje të Moskës.