Vendoset gurthemeli i Kompleksit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social.
Ky kompleks, që do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9,120 m², do të ketë gjithsej 65 banesa, prej tyre 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social. Kohëzgjatja e punimeve parashihet të jetë tri vjet, kurse vlera e projekt është 4.9 milionë euro. Kompleksi do të ketë katër tipe të banesave: Tipi A me 53 m² ; Tipi B me 66 m²; Tipi C me 77 m² dhe Tipi D me 87 m².
Me rastin e vendosjes së gurthemelit, kryeministri tha se, qysh në fillim të mandatit të qeverisë patëm miratuar Agjendën Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social, që synon qasjen në banim të denjë, të përballueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët bazuar në tri parime themelore: gjithëpërfshirje, mos-segregim dhe diversitet.
“Banimi është e drejtë themelore e njeriut”, tha ai, teksa falënderoi ministrin Aliun, zëvendësministrin Jeton Rakën, kryetarin Feratin dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt dhe uroi punime të mbara e të shpejta.
Ministri Aliu theksoi se përpos studimeve të fizibilitetit për banimin social dhe banimin e përballueshëm, është bërë edhe ndryshimi i ligjit, i cili i ka hapur rrugën këtij projekti. Duke dhënë detaje rreth projektit, ai tha se banimi i përballueshëm do të jetë i kombinuar me banimin social. Banimi social do të jetë në pronësi dhe menaxhim të komunave. Kurse, në banimin e përballueshëm, në fund, pronarë do të jenë ata që kanë aplikuar dhe përfituar nga ky program.
“Kombinimi i banimit social me atë të përballueshëm bën që të kemi diversitet brenda komplekseve të banimit. Ne synojmë politika, ku banesat sociale të jenë të përfshira edhe në zonat e reja zhvillimore, në mënyrë që mos të kemi getoizim të rasteve sociale, siç kemi pasur në të kaluarën”, u shpreh ministri Aliu.
Ai uroi që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë ashtu që çiftet e reja, punëtorët e administratës të mund te përfitojnë nga programi i ynë për banim të përballueshëm.
Ndërkaq, kryetari Ferati u shpreh se është shumë i gëzuar që Komuna e Istogut është e para që po fillon me këtë projekt, që përpos se për qeverinë, sigurisht që edhe për komunën që drejton ai ka qenë me interes jetik, marrë parasysh që ka numër të konsiderueshëm të rasteve që kërkojnë nga komuna që të ofrojnë zgjidhje sa i përket banimit.
Ky projekt është një bashkëinvestim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave përfituese, ku komunat kontribuojnë me lokacionin dhe infrastrukturën e nevojshme përcjellëse, ndërsa ministria realizon investimet kapitale, përkatësisht projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin.
Përfitues nga ky program janë çiftet e reja dhe familjet që përbëhen nga prindi vetushqyes, bazuar në kriteret në vijim: nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit dhe mosha e njërit nga çiftet të jetë nën moshën tridhjetë e shtatë (37) vjeçare.
Në janar të vitit 2024, ministria shpalli Thirrjen e Parë Publike për Komunat, duke ftuar bashkëpunimin institucional në kuadër të programit. Si rezultat, 13 komuna, përkatësisht Peja, Podujeva, Gjilani, Istogu, Kamenica, Rahoveci, Gllogoci, Lipjani, Malisheva, Obiliqi, Vushtrria, Shtimja dhe Ferizaj, dorëzuan aplikime, të cilat u shqyrtuan përmes vlerësimeve analitike dhe vizitave në terren. Në mars 2024, u themelua gjithashtu Ekipi i Profesionistëve pranë ministrisë për të mbështetur procesin e zbatimit të projektit në nivel lokal.
Ndër komunat që përmbushën kriteret për zhvillimin e projekteve, Komuna e Istogut është një nga pesë komunat, së bashku me Pejën, Podujevën, Gjilanin dhe Kamenicën, për të cilat janë hartuar projektet ideore dhe kryesore. Projektet në këto komuna janë pajisur me Kushte Ndërtimore, ndërsa për tri prej tyre, përfshirë Istogun, janë lëshuar edhe Lejet Ndërtimore. Deri tani janë nënshkruar katër kontrata me operatorët ekonomikë në shtatë llote në Komunat e Istogut, Gjilanit, Pejës dhe Podujevës, me vlerë totale prej 32,257,752.81 euro.