Depueteti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 që lidhet me përdorimin e pajisjeve dhe softuerëve fiskalë elektronikë.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për nxjerrjen e ligjeve dhe udhëzimeve administrative në kundërshtim me Kushtetutën.
“Kjo dukuri e shëmtuar e ka përcjellë Qeverinë Kurti që nga fillimi: me shkelje ligjore e kushtetuese, me sulme ndaj drejtësisë dhe me hakmarrje ndaj opozitës. Të gjitha këto kanë sjellë pasoja serioze për vendin”, ka shkruar Shala në Facebook.
Postimi i plotë:
Ne, si shoqëri, i kemi borxh shtetit që të respektojmë vendimet e gjykatave.
Ky vendim duhet të mbështetet sepse qartëson dhe definon mungesën e kompetencës dhe të mandatit të ministrit të Financave.
Gjithashtu, ky vendim shpërfaq haptas tendencën vulgare të qeverisë në vendimmarrje duke shkelur çdo parim dhe procedurë përpara se të nxirren akte të tilla.
Pra, sado i mirë apo i drejtë të jetë qëllimi, ai domosdoshmërisht duhet të kalojë përmes një procedure demokratike dhe debati të hapur, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret të nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ.
Kjo dukuri e shëmtuar e ka përcjellë Qeverinë Kurti që nga fillimi: me shkelje ligjore e kushtetuese, me sulme ndaj drejtësisë dhe me hakmarrje ndaj opozitës.
Të gjitha këto kanë sjellë pasoja serioze për vendin.