Analisti Vehbi Kajtazi, e ka komentuar aktvendimin e Gjykatës Supreme, ku dje e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për arkat fiskale të ministrit në detyrë, Hekuran Murati.
Kajtazi tha se Supremja nuk është marrë se a duhet të liberalizohet a digjitalizohet shërbimi i arkave fiskale, por sipas tij, Supremja ka tëhnë se Murati nuk ka të drejtë ta ushtrojë funksionin e ministrit prej ditës që është certifikuar rezultati zgjedhor.
“Ky aktgjykim, i ushtruar nga një avokat që ka pasur qëllim thjeshtë si përfaqësues i bizneseve, ka konstatuar se Albin Kurti dhe të gjithë ata ministra që e quajnë veten dhe që janë deputetë janë duke ushtruar funksionet e tyre në mënyrë të kundërligjshme”.
“Pra, prej 27 marsit, Albin Kurti si deputet e ka marrë peng Qeverinë e Kosovës dhe po ashtu në të njëjtën kohë e ka marrë peng edhe Kuvendin e Kosovës. Këta janë tepër të padijshëm, përveç që janë kriminelë. Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, këshillë juridike shkruan se ‘ky aktgjykim nuk mund të apelohet’. Pra, ky duhet zbatuar automatikisht”, tha Kajtazi në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Prokuroria Speciale, që nga dita e djeshme duhet të jetë e gatshme që ta arrestojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrat në detyrë që janë edhe deputetë.
“Prej dje që është nxjerrë ky aktgjykim, Prokuroria Speciale në krye me Blerim Isufajn, duhet të jetë e gatshme që këta njerëz t’i arrestojë. Pra, duhet ta arrestojë Albin Kurtin, Hekuran Muratin, Xhelal Sveçlën, Albulena Haxhiun. Të gjithë këta që provojnë të hyjnë në institucionin e qeverisë, duhet të arrestohen”, tha ai.
Kajtazi akuzoi Kurtin se çdo ditë e më shumë po punon për t’i rrënuar themelet kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.