26.3 C
New York
Saturday, June 7, 2025

Buy now

Vendimi i Qeverisë Kurti për lehonat, Cakolli: I drejtë dhe i duhur, por s’është në përputhje me ligjin

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se vendimi i sotëm i qeverisë në detyrë për dyfishimin e mbështetjes financiare për lehonat s’është në përputhje me ligjin.

Cakolli tha se askush s’e konteston që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e duhur, por tha se ligji parashikon që qeveria kur është në detyrë të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike.

“Vendimi i sotëm, për të dyfishuar përfitimet e tyre mujore – që në total kap shumën prej 10 milionë eurosh – nuk është në përputhje me ligjin. Ligji parashikon që një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda buxhetit vjetor e Planit të Punës të miratuar më parë. Asaj nuk i jepet e drejta të ndërmarrë veprime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike apo krijojnë obligime të reja fiskale për qeverinë pasuese”, tha Cakolli.

Ai shton se vendimi i sotëm nuk është as i planifikuar, as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente.

“ Përkundrazi, ai përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën sociale dhe fiskale, duke shkuar përtej rolit teknik të një qeverie kalimtare. Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike”.

Pikërisht për këtë arsye, thotë Cakolli, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk duhet të interpretohet tekstualisht.

“Interpretimi duhet të burojë nga logjika kushtetuese e kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat – me synimin për të ruajtur ekuilibrin institucional, për të shmangur vendimmarrje të njëanshme dhe për të garantuar se orientimi i politikave të reja u takon vetëm një shumice të re legjitime. Një interpretim të tillë, për shumë situata të ngjashme, do të duhej ta kishte edhe qeveria në largim…”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, qeveria në detyrë ka marrë vendim që nga muaji qershor, lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetjen e paraparë sipas Ligjit të Punës për tre muaj nga Qeveria në vlerën prej 319.5 euro – që është 50% e pagës mesatare referente.

“Krahasuar me nivelin aktual prej 223 euro, mbështetja e re paraqet një rritje prej 43.3%”.

 

Të ngjashme

Të fundit