-4.8 C
New York
Wednesday, January 28, 2026

Buy now

Vendimi i Kushtetutës për Rashiq, reagon Basha: Përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse

- Advertisement -

Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuse ka bërë të ditur se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është jo kushtetuse.

Lidhur më këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Basha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se vendimi i gjykatës përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse

Postimi i plotë:

Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse.

E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat.

Gjykata, në Njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rašić nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rašić, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre.

Si Kryetar i Kuvendit, kam kërkuar tri herë radhazi që të propozohej deputeti i vetëm që nuk i ishte nënshtruar votimit për pozitën e nënkryetarit, mirëpo propozuesi i shumicës së deputetëve nga komuniteti serb refuzonte propozimin dhe kërkonte që të kthehej radha e votimit për deputetët e njëjtë nga subjekti Lista Serbe. Kërkesa e propozuesit nga komuniteti serb ishte që të tejkalohej (të diskriminohej) deputeti i dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, i cili kishte mbetur pa u propozuar si kandidat për nënkryetar asnjëherë të vetme. Ky diskriminim do të ishte antikushtetues, por madje edhe në kundërshtim me mekanizmin e debllokimit për propozim në më së shumti 3 herë të një kandidati sipas Aktgjykimit të datës 18.08.2025.

Pas kërkesës sime për tri herë radhazi për ta propozuar kandidatin Rašić – por që shumica serbe refuzoi ta bënte – ky mosveprim është konsideruar si refuzim i propozimit nga ana ime (pra mospropozim), pasi nuk kishte mundësi të interpretohej ndryshe. Për pasojë, kam aktivizuar procedurën e shortit, siç parashihet në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, i cili shprehimisht përcakton se: “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.”

Dhe kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur, nuk ka pasur propozim dhe rrjedhimisht aktivizim të paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores.

Për më tepër, para vazhdimit të kësaj procedure, para deputetëve kam arsyetuar aktivizimin e paragrafit 7 të nenit 12, ku, ndër të tjera, kam sqaruar si vijon: “I patëm 9 kandidatë që për tri herë radhazi nuk i morën votat e mjaftueshme për Nënkryetar të Kuvendit. Prandaj kemi mbetur me një kandidat të vetëm, i cili nuk u propozua (mospropozim) nga përfaqësuesit e komunitetit joshumicë serb, pra refuzuan ta propozojnë. Sipas nenit 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, kjo pozitë i takon komunitetit serb dhe secili deputet është i barabartë dhe gëzon të drejtën për t’u propozuar. Meqenëse është refuzuar propozimi i tij, jam i detyruar të kaloj në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, pra në procedurën e shortit. Mirëpo, meqenëse kemi vetëm një kandidat, tërheqja e shortit është e panevojshme dhe, rrjedhimisht, vazhdojmë me votimin e kandidatit të radhës, që është deputeti Nenad Rašić, i cili përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

Në këtë situatë, në respektim të plotë të neneve 7, 24 dhe 67, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në zbatim të parimeve të mirënjohura ndërkombëtare dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese për veprime në interesin më të mirë të vendit, pas refuzimit për tri herë radhazi, pra në kushtet e mospropozimit nga përfaqësuesit e komunitetit, kam proceduar në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës për propozim me short, duke siguruar trajtim të barabartë para ligjit dhe duke vepruar në funksion të zhbllokimit të situatës institucionale.

Rrjedhimisht, në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores, vazhduam me votimin për deputetin e vetëm të papropozuar. Ky votim rezultoi i suksesshëm, ku me 71 vota “për”, deputeti Nenad Rašić u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit.

Përfundimisht, zgjedhja e deputetit Nenad Rašić për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb. Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit.

Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Të ngjashme

Të fundit