31.4 C
New York
Tuesday, August 12, 2025

Buy now

Vendimi i Kushtetueses për kryeparlamentar, VV e quan të padrejtë – Ja kur mund të thirret seanca e radhës? (Video)

- Advertisement -

Në vendimin e fundit të saj, Gjykata Kushtetuese, ka përcaktuar se kandidati i njëjtë mund të propozohet vetëm tre herë për kryeparlamentar dhe kjo duhet të bëhet vetëm përmes votimit të hapur.

Ky vendim nuk i pëlqeu partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse eksponentë të kësaj partie kanë bërë të ditur se do ta respektojnë atë.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Arber Rexha, e ka cilësuar si tmerrshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe siç thotë ai është e padrejtë të mos lejohet votimi i fshehtë.

Ai tutje bëri me dije se Vetëvendosje do ta propozoj sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

“Ne do ta propozojmë sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare sepse është gruaja më e votuar në Kosovë. Qytetarët na kanë votuar neve për ta bërë qeverinë dhe duhet ta respektojmë vullnetin e tyre”, ka thënë Rexha.

Por, në anën tjetër ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se e ka pritur një vendim të tillë nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa ka disa kritika për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Këto reagime janë të pritshme nga Lëvizja Vetëvendosje sepse kështu ka vepruar edhe në të kaluarën kur nuk i ka pëlqyer ndonjë vendim i gjykatës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet dhe të zbatohet”, është shprehur Shala.

Shala tregon se kur mund të thirret seanca e ardhshme për konstituimin e Kuvendit.

“Ky proces nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë në momentin kur Gjykata Kushtetuese e shpall vendimin ne gazetën zyrtare, dokumenti hyn në fuqi”, ka thënë tutje Shala.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët kanë mbajtur 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Të ngjashme

Të fundit