Klan Kosova ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Komerciale për të mos e mbyllur televizionin tonë.
Që nga dita e parë kur MINT njoftoi për pezullimin e certifikatës tonë të biznesit, kemi besuar se drejtësia do të triumfojë.
Ne kemi plotësuar çdo kërkesë që na është kërkuar nga ARBK dhe MINT dhe i kemi dorëzuar, me kohë, ndryshimet e kërkuara në dokumentacion, në këtë agjenci e ministri.
Ne e pranojmë se gjatë periudhës kohore nga 14 qershori deri sot, kemi kaluar nëpër një situatë të vështirë, pasi na është dashur të përballemi me akuza të rënda, e të paargumentuara nga eksponentë të ndryshëm, dhe atë jo vetëm qeveritarë e parlamentarë, të cilët nuk ia kanë dashur të mirën Klanit, lirisë së medies, lirisë së shprehjes dhe demokracisë në vendin tonë.
Sidoqoftë, ajo që na ka inkurajuar për të besuar në drejtësi, për vazhduar dhe për t’i mbetur besnik punës e misionit tonë, është mbështetja e jashtëzakonshme e kolegëve gazetarë dhe shoqatave të tyre vendore e ndërkombëtare, medieve, organizatave të shoqërisë civile, politikanëve, e sidomos ambasadorëve dhe vendeve të tyre, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në por edhe shtete tjera.
Po ashtu, e një rëndësie unike për ne ka qenë mbështetja e vazhdueshme e qytetarëve, shikuesve, lexuesve dhe dëgjuesve të të gjitha platformave të Klanit.
Ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohjës, pafundësisht, të gjithëve pa përjashtim!