Pavarësisht se është betuar si deputet, Hajrulla Çeku, po vazhdon të emërojë, nënshkruajë vendime, e ta kryejë punën e tij edhe si ministër në detyrë. Së fundmi, ai ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nacionale ka siguruar vendimin, dhe shihet se prej 7 personave, 5 prej tyre kanë lidhje direkte me Vetëvendosjen.
Më 7 maj, deputeti Hajrulla Çeku, mësyu Kuvendin e Kosovës. Si deputet, ai do të priste për ta votuar kryeparlamentarin e për ta konstituuar Kuvendin. Asnjëra prej këtyre dyjave nuk ndodhi. Megjithatë, me t’u kthyer në zyrë, ndodhi diçka tjetër.
Hajrulla Çeku mori vendim për të emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Gazeta Nacionale e ka siguruar këtë vendim, ku shihet se pjesa më e madhe e personave që janë emëruar në këtë Këshill, janë anëtarë, ish-kandidat për deputet e militant të Vetëvendosjes.


Vendimi qysh në hyrje specifikon se është marrë nga ministri në detyrë, Hajrulla Çeku. Por, në fund të tij, aty ku është nënshkrimi dhe vula, figuron vetëm fjala “ministër”. Pra, Çeku paradite ishte në Kuvend si deputet, e pasdite ministër.
Në mesin e këtyre emrave, disa prej tyre kishin qenë edhe më parë si anëtarë të këtij Këshilli, e disa të tjerë janë ndryshuar.
Emri i parë në mesin e të emëruarve si anëtar në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar është Rajmonda Ahmetaj. Kjo e fundit, qysh në rini kishte nisur aktivitetin e saj në organizatën studentore SKV, që është si degë e Vetëvendosjes.
Ajo kishte qenë edhe pjesë e garës së VV-së në Deçan. Madje, me një kërkim të thjeshtë, del se kandidati i VV-së për për kryetar të Deçanit, Orges Tafilaj, e planifikonte Ahmetajn për drejtoreshë të Kulturës, nëse do t’i fitonte zgjedhjet.
“Minimumi pesë drejtori do të udhëhiqen nga femrat. Rajmonda Ahmetaj do ta udhëheq drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rabije Haklaj do ta ketë një drejtori, Jehona Avdullahu do ta udhëheq drejtorinë e Bujqësisë, Nurije Demaliaj do ta udhëheq drejtorinë e Shëndetësisë e emrat e tjerë do t’i shohim”, deklaronte ai në Kallxo.com
Një emër tjetër që është emëruar në këtë Këshill, është edhe Visare Aliu. E njëjta, edhe pse nuk verifikohet nëse ka pasur ndonjë pozitë në Vetëvendosje, në rrjete sociale shfaqet në mbështetje të partisë së Albin Kurtit.
Më 8 shkurt, një ditë para zgjedhjeve, Visare Aliu shkruante në rrjete sociale, duke falënderuar “500K herë”, sloganin e njohur të Vetëvendosjes. Edhe në postime të shumta, ajo shihet që ka shpërndarë postime të Albin Kurtit e Hajrulla Çekut. Ky i fundit, i cili ia ‘ktheu’ të mirën me postin e anëtares në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Një tjetër Aliu do të jetë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar. Fjala është për Shkurte Aliun, e cila për dallim prej Visares, kishte qenë zyrtarisht pjesë e Vetëvendosjes. Ajo kishte qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2017.
Shkurte Aliu është motra e ish-deputetit të VV-së, Luan Aliu. E njëjta, ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar në vitin 2021, me të ardhur në krye të ministrisë Hajrulla Çeku.
E një tjetër emër që është emëruar nga Çeku në këtë Këshill, është goxha më e famshme. Fjala është për Vlora Merovcin, aktoren e njohur që njihej si “Alma” në Familjen Moderne.
Megjithatë, përveç serialit të njohur, Merovci para disa javësh u kthye në emër të njohur për publikun, duke moderuar tubimet e Lëvizjes Vetëvendosjes. Në tubimet e mëdha të kësaj partie nëpër komuna, e para që iu fliste përkrahësve të partisë së Kurtit, ishte ‘Alma’.
Edhe Merovci kishte qenë edhe më herët pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit, dhe për këtë kishte reaguar kohë më parë Teutë Rrusta nga PSD-ja. “Merreni me mend! Përderisa aktorët e teatrit ku ajo është drejtuese janë në grevë për kushte më të mira, e objekti i Teatrit nuk funksionon që më shumë se 2 vite, Vlora qenka kujdesur për t’ia siguruar një rol vetes”, shkruante Rrusta.
Kurse, si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë Këshill, është emëruar Donika Gashi. Edhe kjo, kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2018. Për të, kishte njoftuar vetë Albin Kurti. “Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase. Anëtarësimi i Donikës është vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!-n. Na presin shumë punë bashkë, sidomos për rininë dhe artin e kulturën në vendin tone”, shkruante ai.
Donika Gashi ishte kthyer në qendër të diskutimeve pasi kishte publikuar një postim ku e quante homoseksualizmin si sëmundje. Kjo kishte nxitur edhe reagimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gashi kohëve të fundit, ka pasur kritika për partinë e Vetëvendosjes, dhe kjo ishte vërejtur në disa postime në rrjete sociale. Megjithatë, e njëjta edhe publikisht, kishte aderuar në partinë e Kurtit kohë më parë.
Veç këtyre pesë emrave, në këtë Këshill Drejtues janë emëruar edhe Gresa Pallaska dhe Molikë Maxhuni. Pra, nga shtatë emra, pesë dalin të jenë me ndërlidhje me Vetëvendosjen.
Duke qenë se Hajrulla Çeku është edhe deputet edhe ministër në detyrë, ka dilema edhe për vendimin të cilin ai e ka marrë. Madje, duke e nënshkruar vetëm me fjalën “ministër” në fund të vendimit.
Për këto tema, Nacionale ka dërguar pyetje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka sqaruar për Nacionalen se çfarë vendime mund të merr qeveria në detyrë.
“Sipas Ligjit për Qeverinë, ajo nuk ka të drejtë që të inicojë procedura të reja për emërimin në pozitat publike, ku sipas ligjeve te caktuara ajo është kompetente për vendimmarrje. Por, ajo ka të drejtën e emërimit të anëtarëve në organet kolegjiale dhe individuale në rastet kur procedura ka filluar para përfundimit të mandatit të qeverisë”, ka thënë Miftaraj për Nacionalen.
Çështjen e vendimeve të zyrtarëve qeveritarë edhe pas betimit si deputet, në Gjykatën Kushtetuese, e ka adresuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
Vetëvendosje është kritikuar gjatë katër vite qeverisje, për shkak të punësimeve dhe emërimeve në pozita të larta, të njerëzve të afërt me këtë subjekt politik. Familjarë, anëtar e ish-anëtar apo përkrahës.