Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që shpall të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e kanë konsideruar si dështim të radhë të qeverisë aktuale sa i përket reformës në drejtësi.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Lavdim Makshana, ka thënë për Ekonomia Online se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ligji në fjalë është në kundërshtim me parimet dhe vetë Kushtetutën.
Ai ka theksuar se me kontestimin e katër neneve, ligji është rrëzuar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë vendimin që ky ligj është në kundërshtim me parimet dhe vetë Kushtetutën, janë kontestuar katër nenet e këtij ligji përkatësisht është kontestuar fushëveprimi i këtij ligji, është kontestuar përbërja e Byrosë, është kontestuar periudha e verifikimit si dhe është kontestuar çështja e shqyrtimit në shkallë të parë. Të gjitha këto, në njëfarë mënyrë, Gjykata Kushtetuese, ka gjetur se këto nene të ligjit, nuk janë në harmoni me vetë kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Makshana për EO.
“Meqenëse janë kontestuar katër nene, ligji është rrëzuar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se këto katër nene janë thelbësore për tërësinë e ligjit, pra pa këto nene ligji nuk mund të qëndrojë dhe në njëfarë mënyrë përbëjnë pjesën kryesore të ligjit për Byronë dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar në tërësi ligjin për Byronë, pra është një nga dështimet e radhës të qeverisë sa i përket edhe reformës në drejtësi”, ka thënë Makshana për EO
Ai ka thënë se një nga premtimet kryesore elektorale të kësaj qeveri që ka qenë reforma në drejtësi ka dështuar, sipas tij, jo vetëm për shkak të ligjit në fjalë por edhe ligjeve tjera.
“Një nga premtimet më kryesore elektorale ka dështuar dhe nuk është arritur të bëhet ajo reforma në drejtësi, jo vetëm për shkak të këtij ligji por edhe shumë ligjeve tjera duke filluar nga ligji për Këshillin Prokurorial, ligjet që kanë të bëjnë me Vettingun që ende nuk e kemi, pra nuk janë votuar amandamentet kushtetuese e as ligji nuk është as në finalizim”, ka thënë ai.